Më pak fruta dhe perime por me çmime më të larta – kjo është pamja të cilën e hasëm në një prej tregjeve të Shkupit. Sipas tregtarëve kjo vjen si pasojë e ndryshimeve klimatike, por edhe për shkak se të rinjtë dalin jashtë shtetit dhe nuk duan të merren me bujqësi.
-Domate 50 denarë/kg
-Speca 40 denarë/kg
-Lakër 40 denarë/kg
-Pjeshka 100 denarë/kg
-Kumbulla 50 denarë/kg
-Rrush tavoline 50 denarë
-Shalqi 10 denarë/kg
-Patate 25 denarë/kg
“E dimë që të gjitha çmimet janë rritur, andaj nuk mjafton as pensioni e as paga. Pak speca, pak domate, pak rrush, gjërat themelore që nevojiten për në shtëpi. Gjithçka është nga 50 denarë. Është më shtrenjtë”.
“Kush nuk ka para, është shtrenjtë. Kush ka para, është lirë”.
“Është shtrenjtë. Shtrenjtë, nuk ka para. Speca, domate edhe ato janë shtrenjtë, nga 50, 60 denarë… Ishin më lirë, tani janë më shtrenjtë”.
“Gjithçka u dogj, nuk ka mall, kushtet e motit dhe nuk ka kush të punojë, i gjithë populli u largua nga vendi”.
Në këtë periudhë po bëhet mbledhja e rrushit për tavolinë në rajonin e Tikveshit, çmimi i të cilit është 20-25 denarë për kilogram. Bujqit reagojnë se çmimi i rrushit ka dy dekada nuk ka ndryshuar, ndërsa shpenzimet janë rritur. Përveç ngricave të dimrit, por edhe për shkak të defekteve të mëdha në sistemin për ujitje, tani vreshtat po përballen edhe me thatësi të madhe dhe kjo ndikon edhe në cilësinë dhe rendimentet e rrushit – thotë Kryetarja e fermerëve të Maqedonisë.
“Për fat të keq çmimet vite me radhë janë të njëjta. Por, ne bujqit duhet t’i punojmë tokat dhe duhet ta mbledhim atë që kemi. Për fat të keq nuk kishim pjeshka për shkak të ndryshimeve klimatike, nuk kishim kajsi, qershi. Gjithsesi kjo ndikon në buxhetin e shtetit dhe në buxhetin e bujkut”, tha Vaska Mojsovska – kryetare e Federatës së Fermerëve të Maqedonisë së Veriut.
Nëse viteve tjera kanë mbledhur nga 70 tonelata rrush, këtë vit nuk do të mund të mbledhin asgjë për shkak të temperaturave të larta. Vitin e kaluar çmimi i rrushit “smederevka” ka qenë 11 denarë dhe “vranec” 12 denarë. Nga Federata e fermerëve të Maqedonisë do të ishin të kënaqur me 16 denarë për “smederevka” dhe 17 denarë për llojin “vranec”, kërkesë që e kanë dorëzuar deri te Ministria e bujqësisë dhe kantinat e verës.
