ME “BOMBA” MUND TË SHANTAZHOHET ÇDO POLITIKAN, MUSLIU: ÇDO GJË QË ËSHTË ME INTERES PUBLIK TË PUBLIKOHET

TË FUNDIT

Materialet e përgjuara të cilat janë me interes publik duhet të publikohen. Kështu u tha mbrëmë në emisionin Click Plus, në të cilin u debatua për të ashtuquajturat “bomba” që ditëve të fundit po publikohen në rrjete sociale. Analisti Albert Musliu tha se përgjimet me interes publik le të publikohen, por mos të shantazhohen njerëzit të cilët janë përgjuar.

“Çdo gjë që është me interes publik duhet të publikohet pa dilemë, por nuk duhet me atë të manovrohet. Nëse ka interes publik ato duhen të publikohen edhe pikë, nuk ka dilemë. Por nuk duhet të veprohet në atë mënyrë, këtë do ta lëshojë, por mos më fol kështu, se të lëshojë këtë tjetrën”, tha Albert Musliu, analist.

Arianit Xhaferi nga Ekko Guerilla mendon se me ndërprerjen e publikimit të bombave në vitin 2015 nga ana e Liderit të Lsdm-së, u krijua përshtypja se Zaev  po bënte pazarllëqe me Liderin e BDI-së Ali Ahmetin.

“Unë mendoj se misioni “E vërteta për Maqedoninë” i filluar nga LSDM  duhej të vazhdonte dhe të mos ndërpritej, sepse ata e ndërprenë në një moment dhe lanë një boshllëk, në revoltën e njerëzve të cilët donin të kuptonin më shumë, sikur u krijua përshtypja se Zaev  bënte pazarllëqe me Ahmetin dhe ‘do bëni si them unë ose do të lëshoj bomba”, u shpreh Arianit Xhaferi nga Eco Guerilla.

Edhe Seferi Selimi thotë se tani çdonjëri prej politikanëve, të cilët kanë qenë të incizuar mund të shantazhohet, andaj sic tha, kjo çështje duhet zgjidhet në forma institucionale.

“Definitivisht kjo është çështje e cila duhet zgjidhet në forma institucionale d.m.th. t’i jepet trajtimi ndaj të cilit paguhet me miliona euro brenda vitit prej qytetarëve të Maqedonisë për t’i adresuar indiciet që dalin nga këto publikime. Dhe e dyta, kjo tregon për lodhjen dhe harxhimin e klasës politike të cilën e kemi aktualisht. Sot, ta garantoj që çdonjëri prej politikanëve ekzistues të cilët kanë qenë pre e incizimeve jolegale prej VMRO-së mund të shantazhohet”, theksoi analisti Sefer Selimi.

Ndryshe, tema për përgjimet e paligjshme u aktualizua pasi Sheqerim Ahmeti i njohur si El Cheka në profilin e tij në facebook, nisi publikimin e disa bisedimeve të Ali AHmetit, Musa Xhaferit dhe Blerim Bexhetit.

Përgatiti: Artan Nuhiu