Bordi iniciues i përbërë nga ish-funksionarë të VMRO-DPMNE-së, kryetarë të tanishëm të komunave dhe personalitete të tjera të kësaj partie, shpallën sloganin për Kongresin e jashtëzakonshëm. “Të bashkuar në fitore” do të jetë slogani i kongresit, përmes së cilit planifikohet rrëzimi i Hristijan Mickoskit nga posti lider i VMRO-DPMNE-së. Borçe Stamov tha se të gjithë anëtarët janë të shqetësuar për ndodhitë në parti dhe humbjet në zgjedhje.
“Nuk ka asnjë anëtarë i ndershëm brenda VMRO-DPMNE-së që nuk është i shqetësuar për ndodhitë në parti. Nuk ka anëtarë që nuk pyet se në cilin drejtim po ecën partia. Nuk ka asnjë komitet komunal që nuk flet për atë se përse po i humbim të gjithë zgjedhjet në 3 vitet e kaluara”, u shpreh Borçe Stamov.
Bordi iniciues kujtoi Mickoskin se iu ka premtuar fitore në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, por e njëjta nuk ndodhi, e për këtë siç tha, dikush duhet të mbajë përgjegjësi.
“Për zgjedhjet parlamentare, udhëheqësia na bindi se fitorja do të jetë e thellë me më shumë se 10 deputet dallim, pamë se ato ishin gënjeshtra dhe në vend të fitores, përjetuam edhe një humbje. Na ishte premtuar se VMRO-DPMNE do të krijojë qeveri dhe do të udhëheq me shtetin, por edhe këto ishin fjalë boshe vetëm që të qetësohej anëtarësia. 6 muajt e kaluar po premtohet shumicë e re, derisa LSDM vazhdon të mbetet në pushtet, e qytetarët dhe shteti po hynë nga një krizë në krizë tjetër”, shtoi më tej Stamov.
Kongresi është përcaktuar për më 28 mars. Sic thanë nga Bordi iniciues, Mickoski duhet të iu përgjigjet 367 delegatëve që kanë votuar për të, nëse ai e ka përmbushur premtimin se do ta bashkojë partinë dhe do ta kthej në rrugën e duhur.
Më 28 mars do të votohet për besimin e Mickoskit dhe nëse nuk merr besimin e kongresit, atëherë do të zgjidhet kryetar i ri i VMRO-DPMNE-së, nga ku Bordi iniciues i fton të interesuarit të përgatisin program dhe ta paraqesin deri te delegatët.
