MD: Procedura për ekstradimin e Gruevskit vazhdon, pavarësisht pretendimeve për shtetësi hungareze

TË FUNDIT

Pavarësisht pretendimeve për shtetësi hungareze, Nikolla Gruevski mbetet shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe procedura për ekstradimin e tij vazhdon në përputhje me ligjet vendore dhe konventat ndërkombëtare, kumtoi Ministria e Drejtësisë, pas raportimeve të portalit hungarez “Vsquare” se ish-kryeministri Gruevski ka marrë shtetësi hungareze në vitin 2022.

“Ministria e Drejtësisë po i ndjek me kujdes informacionet e publikuara në opinion lidhur me pretendimet se Nikolla Gruevski ka fituar shtetësi hungareze. Pavarësisht të gjitha spekulimeve dhe informacioneve jozyrtare për statusin eventual që ai mund ta ketë në Hungari, Nikolla Gruevski mbetet shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe person që është subjekt i vendimeve gjyqësore të formës së prerë dhe procedurave aktive”, thotë Ministria e Drejtësisë.

Ministria e Drejtësisë thekson se procedura për ekstradimin e tij vazhdon në përputhje me legjislacionin vendor, marrëveshjet dypalëshe dhe konventat ndërkombëtare. Në kuadër të kompetencave të saj, Ministria do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm juridikë dhe diplomatikë në komunikim me organet kompetente të Hungarisë.

Para këtij sqarimi të Ministrisë, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se nuk ka informacion lidhur me pretendimet se Gruevski ka marrë shtetësi hungareze.

“Jo, ne nuk i kemi informacion të tillë. S’kemi infotmacion të tillë”, deklaroi Mickoski.

Opozitarja LSDM në vazhdimësi ka reaguar për çështjen e Nikolla Gruevskit, duke pretenduar se ai posedon shtetësi hungareze dhe serbe, ndërsa kërkon përgjigje nga Ministria e Drejtësisë për vonesën në procedurat për ekstradimin e tij. Partia opozitare ngre dyshime se sa dokumente udhëtimi mund të sigurojë një person i arratisur nga drejtësia kur ka mbështetjen e duhur politike.

Çështja e ekstradimit të Gruevskit u rikthye në fokus pas deklaratave të kryeministrit të ri hungarez Peter Magjar, i cili tha se Hungaria nuk do të jetë më strehë për persona të kërkuar ndërkombëtarisht. Megjithatë, sipas portalit hungarez “Vsquare”, pozita e Gruevskit mbetet më e sigurt për shkak të shtetësisë hungareze, e cila ofron mbrojtje më të fortë ligjore se azili politik dhe mund të hiqet vetëm nëse provohet se është marrë në mënyrë të paligjshme apo përmes korrupsionit.

Përndryshe, se Gruevski ka shtetësi hungareze nuk është lajm i ri, pasi që një gjë dihet që nga viti 2019, gjë që e dëshmojnë raportimet mediatike e asaj kohe.