Mbyllja e pikës kufitare në Merdare, MPJ me informacione të rëndësishme për ata që udhëtojnë drejt Kosovës

TË FUNDIT

Mbrëmjen e 27 dhjetorit autoritetet kosovare kanë bërë të ditur se pika kufitare në Merdare është mbyllur për qarkullim. Kjo pikë është mbyllur për shkak të barrikadave që serbët kanë vendosur në pjesën e Serbisë. Nga Ministria e Punëve të Jashtme kanë dhënë udhëzime për udhëtarët që tashmë kanë hyrë në Serbi, e të cilët planifikonin të udhëtonin përmes kësaj pike kufitare.

“INFORMACION I RËNDËSISHËM PËR TË GJITHË ATA QË JANË DUKE UDHËTUAR DREJT KOSOVËS. Grupet kriminale serbe kanë bllokuar pikën kufitare në Merdarë. Njoftohen të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të shfrytëzojnë pika të tjera kufitare për qarkullim deri në një informim tjetër zyrtar nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës. Nëse keni hyrë tashmë në Serbi, atëherë ju lutemi t’i përdorni pikat kufitare ne Mutivodë, Dheu i Bardhë ose të merrni rrugë përmes Maqedonisë së Veriut (pikë-kalimi kufitar i Preshevës) përmes Shkupit. Duke marrë parasysh faktin që janë në qarkullim shumë lajme të rreme, të cilat synojnë përhapjen e frikës, ju lutemi të ndiqni @Kosovo_Police rreth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim”, thonë nga Ministria e Jashtme në Kosovë.