Mbyllen dyert e komunës së Vrapçishtit! Shabani: Çelësat i ka kryeministri

TË FUNDIT

Sot dyert e komunës së Vrapçishtit ishin të mbyllura. Punëtorët që erdhën në zyrat e tyre në mëngjes nuk kishin asnjë informacion se çfarë po ndodhte.

Disa prej tyre treguan përmes telefonit se dyert i kishte mbyllur ish-kryetari i komunës, Isen Shabani.

Ky i fundit thotë se mandati i tij përfundoi dje dhe se nuk ka më arsye të qëndrojë në komunë.

 “Mua dje më datë 9 nëntor më ka mbaruar mandati. Sot është data dhjetë dhe për këtë duhet ta pyesni Qeverinë, apo të besueshmin e Qeverisë. Ai nga sot duhej të ishte në detyrë, dhe sigurisht përgjegjësia është e Qeverisë dhe të besueshmit të Qeverisë se përse dera është mbyllur. Mandati im dje ka përfunduar dhe sot unë jam qytetar i lirë”, tha Isen Shabani, ish-kryetar i komunës së Vrapçishtit.

Ai nuk ka ndërmend t’i hapë dyert e komunës, dhe kur u pyet nëse do t’ua dorëzonte çelësat personit të caktuar nga Qeveria, deklaroi se çelësat i ka kryeministri dhe ai është ai që duhet t’i dorëzojë. Ai gjithashtu përshëndeti Qeverinë dhe tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me ta në çdo mënyrë.

“Po le të shkoj të kryeministri ai do ia jep çelësin. Kjo do ngel tek ne, sepse unë nuk dorëzoj mandat. Po t`i kisha humbur zgjedhjet unë do e pritsha në zyrën time dhe sipas normave unë do i dorëzoja mandatin. Por në këtë situatë dhe këto turbulenca apo lojëra të fëlliqura që mundohen të bëjnë ortakët VLEN dhe VMRO të mirë menduar dhe orkestruar, do përballemi, këtu jemi në çdo kohë”, pohoi Isen Shabani, ish-kryetar i komunës së Vrapçishtit.

Ndryshe, në komunën e Vrapçishtit, raundi i parë i zgjedhjeve lokale dështoi për shkak të mosmarrjes së censusit të nevojshëm. Zgjedhjet pritet të zhvillohen pas 60 ditësh, dhe gjatë kësaj periudhe komunën pritet ta drejtojë një person i besuar i emëruar nga Kryeministri, gjë që pritet të ndodhë gjatë javës së ardhshme.