Ibadete Çelebi është nga Shkupi ndërsa ka tre muaj që ka nisur studimet në Turqi. Për shkak të krizës me COVID-19 leksione nuk mbajnë, ndërsa dëshiron të kthehet në vendlindje ku do të ndihej më e sigurt.
“Vazhdimisht numri po rritet dhe normale që po shtohet ndjenja e pasigurisë, nuk është si në Maqedoni ku gjithçka mund të kontrollohet, këtu nëse vazhdon të rritet numri, gjendja do të jetë shumë më kërcënuese se sa është tash”, tha Ibadete Çelebi, studente në Turqi.
Ibadetja tregon për TV21 se ende nuk ka qëndrim të rregulluar në Turqi, ndërsa shton se shumica e studentëve të huaj janë kthyer në shtetet e tyre, e kanë mbetur vetëm ata nga Maqedonia e Veriut.
“Është rast që na ka prekur shumë se kemi gati 1 muaj e ca që mundohemi të kthehemi në vendlindje por nga organet kompetente nuk po marrim asnjë lajm. Na thonë se jeni në listë. Kemi mbi 100 studentë që dëshirojnë të kthehen por s’kemi asnjë lloj informacioni”, tha Ibadete Çelebi, studente në Turqi.
Në fakt numri i studentëve që duan të kthehen është më i madh se kaq, na tregoi Muhammed Tahiri i cili po organizon duke përpiluar lista me gjithë ata që duan të kthehen.
“Momentalisht kemi mbi 250 emra të studentëve nga qytete të ndryshme të Turqisë të cilët duan të kthehen në vendlindjet e tyre. Këtë ua kemi përcjellë edhe Ambasadës dhe konsullatës në Stamboll por dhe Ministrisë së Jashtme me e-mail dhe tani sapao kemi nisur një organizim pak a shumë të koordinuar edhe me ata”, tha Muhammed Tahiri, organizator, student në Turqi.
Ministria e Punëve të Jashtme konfirmon se janë mbi 200 studentë të interesuar për riatdhesim, e motivi kryesor është paparashikueshmëria për rinisjen e procesit arsimor në Turqi, ndërsa pjesa më e madhe studiojnë me vetëfinancim.
Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut:
“Në përputhje me vendimin e Shtabit të krizës të Qeverisë, MPJ tashmë ka ndërmarrë aktivitete për kthimin e studentëve të interesuar nga Turqia në vendin tonë. Ambasada në Ankara dhe Konsulli i Përgjithshëm punojnë në komunikim me studentët dhe po finalizojnë listat. Pritet që i gjithë operacioni të përfundojë për disa ditë”.
Nga Ministria e Jashtme tregojnë se edhe për studentët do të vlejnë kushtet e njëjta për riatdhesim, pra qëndrimi 21 ditor në karantinë shtetërore si dhe pagesa e biletës së aeroplanit ose autobusit.
Numri më i madh i studentëve që studiojnë në Turqi janë në qytetet Stamboll, Çanakale, Ankara dhe Bursë.
