Në Festivalin Folklorik Maqedonas që u zhvillu në Bashkinë e Pustecit ku mori pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, nuk u intonua himni shqiptar por vetëm ai maqedonas. Për këtë reagoi kryebashkiaku Pali Kolefski duke kërkuar ndjesë në emër të organizatorëve, ndërkohë që bëri të ditur se se Bashkia e Pustecit ishte vetëm e ftuar.
Kolefski tha se ka kërkuar që në momentin që intonohet himni maqedonas, patjetër të ishte edhe himni shqiptar që siç tha, duhej respektuar. Ai shtoi se një situatë të tillë nuk e priti mirë as kryeministri Htistijan Mickoski.
“Të them të drejtën, para se të zhvillohej ky aktivitet, kam kërkuar nga organizatorët, konkretisht nga kryetari i shoqatës së VMRO-së në Shqipëri, programin zyrtar. Më kanë thënë se do të kishte këngë dhe valle tradicionale maqedonase dhe se aktiviteti do të hapej me himnin maqedonas. I kam kërkuar që, në momentin që do të ekzekutohej himni maqedonas, patjetër të ishte edhe himni shqiptar, sepse kështu duhet të ndodhë në çdo pritje apo ceremoni zyrtare. Ne jemi shtetas shqiptarë, jetojmë këtu dhe duhet të respektohet himni”, u shpreh Kolefski.
