Nga tërmetet e fuqishme që goditën Turqinë dhe Sirinë, janë vrarë mbi 1.600 persona.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se vetëm në shtetin e tij janë regjistruar 912 viktima. Ndërkaq, Siria raportoi për 783 të vdekur.
Tërmeti prej 7.8 shkallësh të Rihterit goditi të hënën juglindjen e Turqisë dhe veriun e Sirisë.
Agjencia për menaxhimin e emergjencave raportoi se të hënën u regjistrua edhe një tërmet i ri prej 7.6 ballësh, afër epiqendrës së tërmetit paraprak vdekjeprurës, duke shkaktuar dridhje të tjera të tokës.
Presidenti turk tha më herët se 5.400 persona janë plagosur, ndërkaq 2.470 të tjerë janë nxjerrë nga rrënojat.
Afër 3.000 ndërtesa janë rrëzuar nga tërmeti, tha ai.
“Për shkak se heqja e rrënojave po vazhdon në shumë ndërtesa që gjenden në zonën e tërmetit, ne nuk e dimë se sa do të rritet numri i të vrarëve dhe të plagosurve”, tha Erdogan.
Ai tha se ka pranuar ndihmë nga rreth 45 shtete të botës.
Afër 9.000 persona po marrin pjesë në operacionet e shpëtimit.
Edhe zyrtarët në Siri kanë raportuar po ashtu për mijëra persona të plagosur.
Sipas autoriteteve të Turqisë, dhjetë qytete turke janë prekur nga tërmeti. Ato janë: Gaziantepi, Kahramanmarashi, Hatai, Osmanije, Adijamana, Malatia, Shanliurfa, Adana, Dijarbakiri dhe Kilisi.
Ministria e Shëndetësisë e Sirisë tha se 237 persona janë vrarë në provincat e kontrolluara nga Qeveria, në Alepo, Hama dhe Tartus, ndërkaq më shumë se 600 persona të tjerë janë plagosur.
Në Siri, sipas autoriteteve të atjeshme, nga tërmeti janë goditur provincat Alepo, Latakia, Hama dhe Tartus.
Turqia gjendet mbi një nga linjat më të mëdha sizmike dhe shpesh goditet nga tërmetet.
Epiqendra e tërmetit të së hënës ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan.
Ka pasur edhe tërmete pasuese, përfshirë edhe një në shkallë prej 6.7 shkallësh të Rihterit.
Në të dy shtetet po zhvillohen operacione për të shpëtuar njerëzit e bllokuar nën rrënoja pas rrëzimit të ndërtesave. Në të dy anët e kufirit, banorët ishin në gjumë kur goditi tërmeti dhe ata dolën jashtë në mot të ftohtë, me borë dhe shi, teksa ndërtesat u rrëzuan.
Në banor i qytetit turk, Adana, tha se tri ndërtesa pranë shtëpisë së tij kolapsuan.
“Nuk kam fuqi më”, është dëgjuar të ketë thënë një prej të mbijetuarve, i bllokuar nën rrënoja, teksa ekipet e shpëtimit kanë bërë përpjekje që ta shpëtojnë, tha banori i Adanit, Muhammet Faith Yavus.
Në anën siriane të kufirit, tërmeti goditi rajonet e kontrolluara nga opozita, ku jetojnë afër 4 milionë të zhvendosur nga pjesë të tjera të Sirisë, për shkak të luftës civile në vend. Shumica prej tyre jetojnë në kushte të rënda dhe pa përkujdesje shëndetësore, teksa territoret ku gjenden ata janë të rrethuara nga forcat siriane.
Autoritetet turke thanë se pas tërmetit të parë të fuqishëm janë regjistruar edhe të paktën 20 lëkundje të tjera pasuese.
