Rreth 16 mijë maturantë sot iu nënshtruan provimit të maturës shtetërore në gjuhën amtare. Kjo gjeneratë e nxënësve për dallim nga gjeneratat e tjera, pjesën më të madhe të mësimit për shkak të Covid-19 e zhvilluan në distancë, patën ndërprerje të mësimit në fillim të pandemisë e për në fund e përjetuan edhe grevën e mësimdhënësve.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri nga maturantët pret rezultate maksimale, edhe përkundër faktit që siç tha ai se kjo gjeneratë ka kaluar sfida të mëdha në procesin arsimor.
“Unë pres personalisht me gjithë mundin dhe sakrificën që e kanë dhënë të gjithë nxënësit dhe gjithë mundin dhe mbështetjen që e kanë dhënë të gjithë profesorët që të arrijnë rezultate maksimale, por jam i bindur që në këtë rezultate të kësaj mature shtetërore do të kenë efekt edhe këto të cilat i përmenda paraprakisht, arsyet të cilët ishin në procesin arsimor”, deklaroi Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Shaqiri shtoi se me Qendrën për provime kanë bërë lëshime dhe në provim nuk ka pyetje të periudhës që nuk është zhvilluar mësimi për shkak të grevës. Edhe drejtoresha e Shkollës së Mesme të Mjekësisë, Maja Saliu tha se pyetjet janë formular sipas gjendjes nëpër të cilën është kaluar.
“Mund të them lirisht se nxënësit tonë gjatë procesit 4 vjeçar po përgatiten për këto provime, nuk përgatiten vetëm ditëve të fundit ose në minutat e fundit. Në aspektin që u humb nga procesi arsimor dhe që një pjesë e mësimit të kësaj gjenerate të nxënësve u zhvillua online, kishte edhe ndërprerje në fillim të pandemisë është fakt se nuk mund të pritet cilësi e shkallës së lartë, por jam e sigurt dhe ju garantoj se edhe pyetjet edhe materialet janë modifikuar në bazën e të gjitha këtyre situatave që i kemi kaluar”, theksoi Maja Saliu, drejtoreshë e Sh.M. “Pançe Karagjazov”.
Provimi sot ka filluar në kohë dhe pa probleme theksoi drejtoresha e Qendrës për provime shtetërore, Elizabeta Naumovska. Tregoi të dhënat se sa maturant i nënshtrohen maturës shtetërore këtë vit.
“Këtë vit për maturën shtetërore janë paraqitur 15.899 nxënës, prej tyre, 7135 janë nxënës të gjimnazeve, 8504 nga shkollat profesionale dhe 260 nga shkollat artistike. Sot zhvillohet provimi i gjuhës amtare edhe atë në 3 gjuhët mësimore, maqedonisht, shqip dhe turqisht në të gjitha shkollat e mesme. 11.071 nxënës hynë në provim në gjuhën maqedonase, 4306 në gjuhën shqipe dhe 313 maturantë në gjuhën turke”, theksoi Elizabeta Naumovska, drejtoresh e Qendrës për Provime.
Dhënia e provimit të dytë ekstern është caktuar për më 13 qershor. Më së shumti paraqitje ka për gjuhën angleze, matematikë dhe gjuhë gjermane. Rezultatet nga provimet duhet të kumtohen më së voni 30 ditë nga dhënia e provimit të dytë ekstern. Krahas provimeve eksterne, maturantët kanë edhe dy provime interne dhe një detyrë projektuese. Në fund të vitit 2019/2020 për herë të parë nuk u organizua për shkak të KOVID-19, ndërsa me kërkesë të maturantëve të vitit të kaluar që t’u lehtësohen kushtet, numri i provimeve eksterne u ul nga tre në dy, përkatësisht provimi i tretë ekstern u zbrit në rang të provimit intern.
