Në pakon antikrizë të qeverisë, të nëntën me radhë e që peshon 662 milionë euro janë të përfshirë kryesisht pensionistë, studentët, kategoritë sociale të rrezikuara, por edhe bujqit, administratorët dhe kompanitë. Për të gjithë nga pak, në një kohëzgjatje prej shtatë muajsh që përkon me raundin e parë dhe raundin e dytë të zgjedhjeve, të bën të dyshosh që mund të jetë për blerje votash, vlerëson ekonomisti Visar Ademi. Sipas tij është pozitive ndihmesa e këtyre kategorive të qytetarëve, por nuk janë përfshirë të gjithë që duhet.
“Mungojnë edhe disa lloj qytetarësh për shembull të cilët fillimisht kanë qenë pjesë e këtyre masave antikrizë, tani janë të larguar nga atje. Posaçërisht ata që merren me zinxhirin e furnizimit të mallrave ushqimore, të cilat janë shumica e njerëzve të prekur nga kjo masë dhe e dyta janë njerëzit që do t’u jepej një ndihmë për energjinë elektrike e cila do të jetë e padurueshme këtë dimër”, theksoi Visar Ademi – ekonomist.
Nuk ka ndonjë aktivitet të madh ekonomik dhe në një vit zgjedhor kur nuk do të ketë as investime të huaja e as lokale, nuk e di se do të jetë e mundur që të rriten të hyrat publike, thotë ekonomisti Ademi. Ai vlerëson se masat do t’i paguajnë qytetarët, më çka do të huazohet dhe merret borxh publik nga institucionet financiare, për ta mbajtur në balancë buxhetin.
“Kemi një shtet që ka rritje trefish të shitjes së pakicës, asnjë ndihmesë që i jepet 20 euro në muaj ndonjë nxënësi ose ndonjë familjeje nuk mund të zbus varfërinë ose gjendjen ekonomike të një shteti, ky nuk është model transformues por model transaksional. Një model transaksional unë marr ti jep, mirëpo në këmbim unë kërkoj prej teje diçka. Fatkeqësisht modeli nuk mund të jetë transformativ në një vit zgjedhor. Për fat të keq në këtë model transaksionar humbësi më i madh është ai i cili do të paguaj tatimet, do të paguajë edhe qeverinë edhe përfituesin. Me këtë masë do të kemi shtrëngim më shumë të rripit, apo edhe rritje të taksave sepse këto para duhet të merren nga diku”, pohoi Visar Ademi – ekonomist.
Ndryshe masat do të vlejnë nga 1 dhjetori dhe mbulojnë 120 mijë të rinj, mbi 74 mijë kategori të rrezikuara sociale, mbi 187 mijë pensionistë, 40 mijë fermerë, gati 540 mijë përdorues të aplikacionit TVSh-ja ime, 600 mijë familje dhe mbi 70 mijëra kompani.
