Marsh protestues për Rexhail Qerimin, kërkohet drejtësi për “Alfën”, “Monstrën” dhe “Kumanovën”

TË FUNDIT

Po marshojnë për të ndjerin Rexhail Qerimi, i cili para një javë ndërroi jetë në burgun e Idrizovës. Sipas tyre vdekja e Qerimi është misterioze.
Në mënyrë të qetë dhe pa incidente, protestuesit marshuan nga sheshi “Skënderbeu” deri para zyrave të Bashkimit Evropian në Shkup.
Me pankarta “Liri, drejtësi dhe barazi” iu drejtuan përfaqësuesve të BE-së. Ata kërkojnë hetim dhe gjykim ndërkombëtar për të gjitha rastet gjyqësore që ka dyshime se janë të montuara.

“Nuk jemi ngritur për herë të parë e sigurisht as të fundit, për t’ia bërë të ditur për të disatën herë opinionit vendas dhe ndërkombëtar që në këtë shtet vazhdon diskriminimi i hapur dhe padrejtësitë ndaj shqiptarëve të këtij vend. Si mund të shpjegohet ndryshe kjo gjendje për derisa numri i shqiptarëve të dënuar padrejtësisht është tepër i lartë”, tha Nagip Jonuzi, organizator i protestës.

Vëllai i të ndjerit, Jetullah Qerimi tha se Rexhail Qerimit i është bërë padrejtësi e madhe. Shton se vendimet në gjyqësor i merr politika dhe jo vetë gjykatësit.

“Politika rregullisht e ka dirigjuar gjykatën. Nuk ka këtu as një pikë dyshimi se gjykatësit kanë marrë vendime vetë. Jo, vendimet dhe burgosjet dhe dënimet me burg të përjetshëm janë marrë nga partitë politike në pushtet”, shprehet Jetullahu, vëllai i Rexhail Qerimit.

Bedri Ajdari, njëri nga familjarët e të dënuarve në rastin “Monstra”, përmendi lirimin e Mijallkovit, Kamçevit, Rashkovskit dhe Trajko Veljanovskit, duke shtuar se fatkeqësisht ata nuk kanë të holla që lirinë e të afërmeve të tyre ta blejnë me para.

“Ne nuk kemi mundësi as nuk kemi të holla të paguajmë, nuk kemi shtëpi luksoze që t’i deponojmë si garanci për t’i liruar vëllezërit tonë prej paraburgimi. Po ato as nuk i trajtojnë në mënyrë humane. Po të kishte qenë i trajtuar Rexhaili në mënyrë të drejtë dhe humane nëse Zoti e ka caktuar të vdiste, ai do vdiste në kushte normale në spital”, thotë Bedriu, vëllai i Fejzi Azirit.

Protestuesit u larguan duke premtuar se nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi dhe paralajmëruan protesta të tjera për zbardhjen e rasteve të montuara politike.