Me kurorë lulesh në duar u nisën drejt Qendrës Covid në Tetovë për të nderuar 14 viktimat e zjarrit tragjik.
Nën organizimin e grupit të tifozëve “Ballistët” marshi filloi nga Sheshi “Iliria”. Gjatë gjithë kohës ishte i qetë dhe nuk kishte asnjë brohoritje, me të vetmin qëllim që të respektojnë 14 jetët e humbura.
Pasi arritën në Qendrën Covid, marshuesit u afruan pranë dhomave të djegura të spitalit, edhe pse në fillim policia hezitoi t’i lëshojnë. U munduan t’u tregojnë se nuk mund t’i lejojnë që të hyjnë në perimetrin e rrethuar me shiritin e policisë, por më pas u morën vesh që të hyjnë vetëm disa pjesëtarë të grupit për të vendosur lulet, ndërsa gazetarët u lanë jashtë.
“Vajza, motra, faleminderit për përkrahjen. Do të mbajmë 1 minutë heshtje për ndër të viktimave sepse edhe sot është ditë zie. Nëse ka mundësi të ulën të gjithë, të tregojmë shenjë respekti”, tha Bashkim Idrizi, grupi i tifozëve “Ballistët”.
Në shenjë respekti protestuesit për një minutë qëndruan në heshtje e të ulur.
Lavdi! Lavdi!
Marshuesit uruan që ngjarje tragjike si kjo të mos ndodhin më kurrë!
“Inshallah kjo është gjëja e fundit që i ka ndodhur Tetovës”, tha Idrizi.
Bashkim Idrizi nga grupi i tifozëve “Ballistët” tha se mesazhi i marshit është të kërkojnë përgjegjësi, ndërsa nuk deshën të komentojnë asgjë për dorëheqjet e ministrave dhe drejtorëve të spitalit të Tetovës.
“Ky është një marsh paqësor. Shprehëm revoltën tonë ndaj asaj që ndodhi në spital, por në mënyrë paqësore. Inshallah kjo është e fundit dhe mos të ndodhë më diçka e tillë. Kërkojmë përgjegjësi. (21.04) Nuk merremi ne me dorëheqje, me politika, ne jemi vetëm shoqatë tifozësh. Faleminderit”, përfundoi ai.
Homazhe në nderim të viktimave u paralajmëruan edhe për në orën 18, në formë të një tubimi qytetar ku ndodhi tragjedia.
