Maqedonia e Veriut ende nuk është gati për t’i hequr tërësisht masat anti-covid, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali. Pohoi se vendet që kanë shfuqizuar tërësisht masat për mbrojtje nga Covid-19, si Gjermania, Britania e Madhe dhe Danimarka tani po ballafaqohen me numër të madh të të infektuarve të ri.
“Sipas metodologjisë së re e cila po praktikohet në të gjitha shtetet është matja e rrezikut për sistemin shëndetësor dhe jo për individët. Një nga indikatorët është edhe numri i të infektuarve të ri, megjithatë indikator i rëndësishëm është edhe numri i pacientëve që trajtohen në spital, dhe sipas atij numri, ne ende nuk jemi gati për ulje të masave”, tha Bekim Sali, ministre i Shëndetësisë.
Megjithatë gjendja me spitalet në vend është e mirë, njoftoi ministri Sali, duke theksuar se disa qendra kovid tanimë janë mbyllur dhe se nuk ka nevojë për shtretër shtesë.
“Një pjesë e qendrave kovid që ishin në klinikat interne janë mbyllur. Nuk kemi nevojë për shtretër shtesë dhe po kthehemi në gjendjen e mëparshme, gjegjësisht vetëm Klinika Infektive dhe 8 Shtatori janë qendra kovid, flas vetëm në Shkup. Ndërsa në qytetet tjera funksionojnë vetëm Klinikat infektive“, pohoi Bekim Sali, ministre i Shëndetësisë.
Sipas të dhënave të ministrisë së Shëndetësisë, në 24 orët e fundit nga Covid-19, jetën e kanë humbur 8 pacientë, ndërsa janë regjistruar 277 raste të reja nga gjithsej 2.635 testime të bëra. Gjithashtu janë regjistruar edhe 132 pacientë të shëruar.
