Në momentet kur e gjitha bota po ndihmon Turqinë pas tërmetit tragjik, edhe ekipet e shpëtimit të Maqedonisë janë aty. Ekipi i zjarrfikësve nga Tetova mbrëmë ka arritur në Adijaman të Turqisë. Nga atje komandanti i njësitit Avni Ahmeti për TV21 foli për situatën me të cilën po përballen.
“Gjendja është katastrofale, siç e shihni edhe mbrapa meje, komplet qyteti është i rrënuar. Ne po bëjmë përpjekjet tona prej mbrëmë dhe sot që të bëjmë përpjekjet tona për të gjetur ndonjë të mbijetuar nën rrënoja”, tha Avni Ahmeti, komandant i zjarrëfikësve të Tetovës.
Zjarrfikësit nga Maqedonia po veprojnë bashkë me kolegë të tyre nga Franca. Ahmeti tha se kërkimet për jetë njerëzish po vazhdojnë pa ndërprerje, por orët tashmë janë kritike.
“Në fakt këtu objekti mbrapa meje është shembur komplet, ka pasur diku 100 banorë edhe tash prej mbrëmë edhe tash kemi nxjerrë vetëm kufoma. Po mundohemi të depërtojmë në hapësira më të gjëra që të kemi mundësi që të shpëtojmë dikë”, deklaroi Avni Ahmeti, komandant i zjarrëfikësve të Tetovës.
Në qytetin e Kahramanmarash po qëndrojnë ushtarë të Armatës së Maqedonisë. 36 ushtarë janë angazhuar me të gjitha forcat në operacionet e kërkim-shpëtimit.
“Po japim maksimumin me shpresë që do të arrijmë të shpëtojmë jetë dhe të nxjerrim njerëz të gjallë nga rrënojat. Do të mbesim këtu deri sa të jetë e nevojshme dhe në mënyrë profesionale vazhdojmë t’i kryejmë detyrat me qëllim të vetëm dhe me shpresë se do të shpëtojmë më shumë jetë njerëzish”
Momente gëzimi nga Hataj i Turqisë vijnë nga Forcat e Sigurisë së Kosovës. Dje ekipet e Kosovës kanë arritur të shpëtojnë një nënë bashkë me vajzën e saj dyvjeçare, të cilën, nga gëzimi, secili ushtar që e merrte në duar, e puthte.
Ekipet e kërkim-shpëtimit të Shqipërisë janë të vendosur në Malatja të Turqisë nga ku kanë arritur të shpëtojnë jetën e 5 vjeçari.
“Aktualisht jemi në një zonë operacionale ku fatkeqësisht ne kemi bërë të mundur nxjerrjen e 3 viktimave. Trupat tona janë aktualisht me moral të lartë, e vetmja gjë që ka arritur të na krijojë vështirosi janë temperaturat e ulëta”.
Në zonat e prekura të Turqisë kanë arritur edhe ekipet e shpëtimit nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim e RMV-së, ndërsa zjarrfikësit nga Strumica janë stacionuar në rajonin e Adanasë në Turqi. Atje janë edhe zjarrfikës nga disa qytete të tjera.
