Maqedonia po përgatitet për refugjatë nga Ukraina! Edhe 8 presona presin, ndërsa 5 familje refuzojnë të evakuohen

TË FUNDIT

Edhe tetë persona presin që të evakuohen nga Ukraina, prej tyre 4 janë shtetas tanë ndërsa 4 të tjerë janë ukrainas por kanë lidhje familjare me shtetasit tanë. Me evakuimet e deritanishme në Maqedoni janë sjellë rreth 80% të qytetarëve të evidentuar të vendit tonë, po ka edhe pesë familje të cilat nuk dëshirojnë të evakuohen, informoi ministri për punë të jashtme, Bujar Osmani. Tha se tani për tani ambasada jonë do të mbetet në Ukrainë përderisa është e nevojshme të ndihmojë në evakuimin e shtetasve tanë dhe familjeve të tyre.

“Ka edhe qytetarë tanë të tjerë, rreth 20, megjithatë nuk kërkojnë evakuim. Ja do të përmendi disa prej tyre, nuk do t’i them emrat por vetëm shkronjat e para, familja T, tre persona kanë veturë por nuk dëshirojnë të evakuohen, familja A, tre persona, nëna me dy fëmijë, theksojnë se nuk dëshirojnë të evakuohen përveç se nëse ndodh ndonjë përshkallim më i madh i gjendjes në vendin ku ata janë”, tha Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme.

Osmani theksoi se edhe Maqedonia po përgatitet për pranimin e refugjatëve nga Ukraina, ndërsa për këtë tashmë po bëhen analiza për kapacitetet shtetërore. Thotë se nuk pret numër të madh por nëse ka nevojë do të organizohen edhe akomodime të improvizuara.

Ne nuk do të refuzojmë asnjë refugjat ukrainas që do të arrijë në kufi. Përkundrazi do të pranohen me të gjithë aspektet për përkujdes humanitarë. Unë nuk pres që në këtë periudhë të kemi valë të madhe për shkak se  shkojnë në shtetet tjera në fqinjësinë e Ukrainës, por megjithatë siç po e shihni numrat po rriten, 3-4 milion qytetarë ukrainas janë larguar nga Ukraina, megjithatë ne duhet të jemi të përgatitur, shtoi Osmani.

Osmani në takimin e sotëm me gazetarët informoi edhe për bisedimet me Bullgarinë, posaçërisht për bisedën që ka pasur me kryeministrin bullgar Petkov në Forumin në Antali. Paralajmëroi se javën e ardhshme në vend duhet të vijë edhe ministrja bullgare për punë të jashtme, Teodora Gençovska. Në lidhje me përmbajtjen e procesverbalit i cili zbulon qëndrime të ndryshme të Petkovit dhe Gençovskës për kontestin me Maqedoninë, Osmani thotë se nuk ka përshtypje të tillë, ndërsa me Petkov ka biseduar edhe rreth dinamikës dhe dallimeve që ende ekzistojnë në tre pika të kontestueshme edhe pse nuk deshi të zbulojë për cilat çështje bëhet fjalë.