Maqedonia nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë, Petrovska: Po shqyrtojmë kapacitetet për refugjatë

TË FUNDIT

Maqedonia e Veriut do t’i dërgojë Ukrainës pajisje ushtarake dhe armatim, por jo edhe ushtarë, shpjegoi ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska.

Shtoi se vendim për dërgimin e trupave tona në Ukrainë nuk ka dhe nuk do të ketë, ndërsa Maqedonia do të respektojë dhe zbatojë të gjitha vendimet e marra të NATO-s.

“Bëhet fjalë për ndihmë ushtarake, përkatësisht pajisje ushtarake dhe armatim dhe kjo është në përputhje me kërkesën e autoriteteve ukrainase. Kuptohet se kërkesa e tyre ishte e klasifikuar , prandaj edhe vendimi ynë është i klasifikuar, por vlerësuam se si akt i transparencës edhe opinion publik meriton të jetë i informuar se është sjell një lloj vendimi i tillë, për ketë arsye e dhamë edhe atë informacion të shkurtë”, tha Petrovska.

Maqedonia e Veriut aq sa do të ketë kapacitet aq do të pranojë edhe refugjatë nga Ukraina, tha Petrovska. Deklaroi se për momentin po shqyrtohen kapacitet që u shfrytëzuan në krizat e kaluara me emigrantë nëse të njëjtat mund të futen në shfrytëzim në rast se kemi valë refugjatësh.

“Ministritë kanë marrë obligim që t’i shqyrtojnë kapacitetet që janë nën kompetencë dhe dispozicion të tyre. Sa janë ato funksionale dhe a do të mund t’i fusnim në përdorim menjëherë? Kemi parasysh se gjatë një situatë të këtillë të agresionit ushtarak, presim që të kemi valë refugjatësh. Ruta e refugjatëve që ikin nga vatrat e luftës, tani për tani nuk lëviz drejt shtetit tonë”, shton Petrovska.

Ndihma që i është dërguar Ukrainës është në përputhje me kapacitet që i ka në dispozicion Maqedonia e Veriut dhe e njëjta i përmbush kërkesat ukrainase. Petrovska siguron se me këtë ndihmë nuk ulet kapaciteti i Armatës së Maqedonisë së Veriut.