Maqedonia nis ciklin e Ligës së Kombeve – Do të përballet me Ishujt Faroe, Armeninë dhe Letoninë

TË FUNDIT

Përfaqësuesja e Maqedonisë në futboll do të nisë ciklin e ri në Ligën e Kombeve, ku si kundërshtarë në grup do të ketë Ishujt Faroe, Armeninë dhe Letoninë. Ndeshja e parë do të jetë në Tórshavn më 7 shtator, ndërsa tre ditë më vonë në Shkup do të vijë Armenia. Trajneri Blagoja Milevski ka shpallur listën e futbollistëve të cilët do të llogarisë për këto përballje. Kristian Trapanovski ka marrë thirrjen e parë në përfaqësuese, ndërsa në ekip është rikthyer edhe David Babunski.

“Në listën e futbollistëve të ftuar nuk ka ndryshime të mëdha nga ata që përfunduan kualifikimet për Kampionatin Europian. Futbollistët në të cilët llogarisim kanë treguar se kanë potencial për të qenë këtu dhe më tej. Më vjen keq që Darko Velkovski është pa klub dhe nuk do të jetë në kombinim për të luajtur në të dyja ndeshjet. Deni Iliev gjithashtu nuk do të jetë në ekip për shkak të lëndimit. Debutues është Kristian Trapanovski, i cili me paraqitjet e tij për Dundee United e ka merituar të jetë pjesë e ekipit”, tha Blagoja Milevski – trajner.

Milevski pret një ndeshje të vështirë kundër Ishujve Faroe. Ai tha se Maqedonia duhet të ketë respekt për secilin në grup.

“Ishujt Faroe janë një kundërshtar i vështirë, agresiv dhe i disiplinuar. Do të luhet në bar sintetik dhe do të duhet të mësohemi edhe me këtë aspekt. Duhet të jemi në maksimumin e mundësive tona, të gjithë të angazhuar për ekipin, por gjithmonë me respekt ndaj çdo kundërshtari në grup”, u shpreh Milevski.

Mbledhja e parë e futbollisteve është caktuar për datën 2 shtator, në Shkup.