Opozitarja LSDM thotë se kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë vizitës në Bruksel, ka zhvilluar bisedime jozyrtare për të ardhmen evropiane të Maqedonisë. Sipas tyre, takimet nuk janë raportuar përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe janë zhvilluar pa përfaqësues të diplomacisë. Opozita ngre pyetje se çfarë është diskutuar dhe nëse janë bërë marrëveshje që nuk janë bërë publike.
“Negociata për të ardhmen e vendit, pa asnjë përfaqësues të Qeverisë. Si është e mundur që Kryeministri i një vendi të shkojë në bisedime “jozyrtare” për çështjen kyçe – të ardhmen evropiane të Maqedonisë, pa dijeninë dhe pjesëmarrjen e diplomacisë? Si është e mundur që kreu i shtetit të sjellë gruan dhe fëmijët e tij me vete në takime nga të cilat varet fati i dy milionë qytetarëve?”, thonë nga LSDM.
Por kryeministri Hristijan Mickoski i pyetur për qëndrimin e tij në Bruksel tha se bëhet fjalë për një pushim të shkurtër 7-ditor bashkë me familjen. Siguroi se nuk ka pasur takime politike, por me investitorë.
“Isha në Bruksel për tre ditë dhe nuk pata asnjë takim politik. Gjithashtu vizituam Brukselin. Kisha tre takime me investitorë që janë në fazën përfundimtare të arritjes së një marrëveshjeje në Maqedoni. Njëri është nga Gjermania, tjetri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa tjetri po zgjeron një investim ekzistues. Shumë shpejt, këtë vjeshtë, të tre do të nënshkruajnë një marrëveshje dhe publiku do të informohet për përmbajtjen e atyre bisedimeve”, theksoi Mickoski.
Përndryshe opozitarja LSDM pretendon se pas takimeve “nën radar” qëndron një përpjekje për pranimin e propozimit francez, i cili do të mundësonte zhbllokimin e rrugës evropiane të vendit. Megjithatë, nga Qeveria nuk ka konfirmim se në Bruksel është diskutuar një marrëveshje e tillë.
