LSDM kërkon raportin për ujin në Gostivar! VMRO-DPMNE: Uji është i sigurt, LSDM përhap gënjeshtra dhe panik

TË FUNDIT

LSDM akuzon pushtetin se, më shumë se pesë javë pas krizës shëndetësore në Gostivar, ende nuk ka asnjë përgjegjës për rastin e ujit të ndotur dhe rreth 5 mijë qytetarëve të hospitalizuar. Nga partia kërkojnë që Prokuroria të hetojë kallëzimet penale të paraqitura dhe të përcaktojë përgjegjësinë e zyrtarëve, duke ngritur pikëpyetje edhe për deklaratat kontradiktore rreth sigurisë së ujit.

“Kërkojmë që Prokuroria urgjentisht të veprojë lidhur me kallëzimet penale të paraqitura nga LSDM-ja. Veprim urgjent nga prokurori Savevski, nëse është kthyer nga ekskursioni, për të përcaktuar se kush dhe mbi bazën e cilave analiza ka nënshkruar sot se uji është i sigurt. LSDM-ja nuk do të lejojë që këto raste të futen në sirtar. Për helmimin në Gostivar duhet të ketë përgjegjësi”, theksoi Keti Shterjova, LSDM.

LSDM kërkon po ashtu edhe publikimin e analizave zyrtare të ujit dhe thotë se për rastin duhet të ketë përgjegjësi politike dhe penale.

Nga VMRO-DPMNE u kundërpërgjigjën, duke akuzon LSDM-në se po përhap gënjeshtra dhe panik te qytetarët, duke thënë se uji në Gostivar është i sigurt. Ironizuan me kryetarin e LSDM-së, Venko Filipçe, duke thënë se i ka rënë dielli në kokë në Egje, andaj bën mirë të kthehet pasi partia është “çorientuar” dhe ndodhet në kaos.

“Së pari, fakt është se uji është i sigurt për t’u pirë në Gostivar. Të gjitha institucionet kompetente, brenda afatit përkatës, i kanë bërë të gjitha kontrollet e nevojshme dhe dje u tregua se uji tashmë është i sigurt për t’u pirë. Por, LSDM-ja edhe pas këtij lajmi filloi të flasë kot, të kërkojë dokumente”, tha Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.

Për këtë çështje u pyet edhe kryeministri Mickoski, i cili tha se përgjegjësia për funksionimin e sistemit të furnizimit me ujë në Gostivar është në kompetencë të ndërmarrjes publike lokale, drejtuesin e së cilës e emëron kryetari i komunës, duke shtuar se kryetari aktual i Gostivarit ishte mbështetur nga LSDM-ja, andaj kjo e fundit nuk kërkon përgjegjësi prej kryetarit të Gostivarit.