Maqedonia e Veriut ndihmon Slloveninë/ 100 ushtarë do të marrin pjesë në misionin humanitar

TË FUNDIT

Nesër në mëngjes 100 ushtarët nga Maqedonia e Veriut do të nisen për në Slloveni, ku do të ndihmojnë në përballje me dëmet pas përmbytjeve katastrofike. Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska menjëherë pas vendimit bashkë me autoritetet ushtarake organizoi përcjelljen e ushtarëve për në Slloveni. Ajo tha se Sllovenia ka kërkuar nga Maqedonia e Veriut 200 ushtarë për t’u dalë në ndihmë por kërkesa për ndihmë teknike nuk mund të realizohet pasi Maqedonia nuk ka kushte. Pjesëtarët e Armatës dërgohen për një periudhë prej 30 (tridhjetë) ditësh për të marrë pjesë në ofrimin e ndihmës për Republikën e Sllovenisë.

“Ju 100 pjesëtarët e armatës, jeni gjysma e asaj që ka kërkuar Sllovenia për personal nga Aleanca e NATO-s dhe më vjen mirë që sapo na erdhi mbrëmë kërkesa u përgjigjëm pozitivisht. Jepni gjithçka nga vetja, ashtu sikurse miqtë tanë slloven na ndihmuan në kohën e zjarreve disa vite më parë.”- deklaroi Sllavjanka Petrovska, Ministre e Mbrojtjes.

 

 

Në ndihmë në këto ditë të vështira Sllovenisë i doli në ndihmë edhe Kryqi i Kuq.

“Kryqi i Kuq është në komunikim me Kryqin e Kuq të Sllovenisë dhe sipas vlerësimit të tyre menjëherë iu është ofruar ndihma e parë. Nga rezervat e veta Kryqi i Kuq i RMV-së ka ndarë mjete në vlerë prej 5000 euro, janë ofruar vullnetarë dhe ekipe për intervenim adekuat dhe në varësi të nevojave menjëherë do të vihen në funksion.”- deklaroi Kryqi i Kuq i Maqedonisë së Veriut.   

 

 

Kryqi i Kuq fton të gjithë personat juridikë dhe qytetarët e interesuar të dhurojnë para në llogarinë e tyre ose në numrin e donacionit 143 400.

 

Vërshimet katastrofike të shkaktuara nga stuhia e fortë, që goditi Slloveninë, shkaktuan dëme të mëdha materiale dhe viktima. Mijëra njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre në të gjithë Slloveninë. Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, tha se dëmet nga përmbytjet katastrofike në atë vend arrijnë në disa miliardë euro. Qeveria sllovene do të ndajë më shumë se 100 milionë euro vetëm për rindërtimin e infrastrukturës dhe në seancën e sotme do të diskutohet për paketën e ndihmës financiare për njerëzit që humbën gjithçka në vërshimin e ujit.