Makron: Kurdët francezë kanë qenë cak i një sulmi “mizor”

TË FUNDIT

Presidenti francez Emanuel Makron në lidhje me të shtënat në qendër të Parisit deklaroi se kurdët francezë kanë qenë cak i një sulmi “mizor”, duke dërguar ngushëllime për familjet e viktimave dhe mbështetje për të lënduarit.

“Kurdët francezë janë cak i një sulmi mizor në zemrën e Parisit. Mendimet tona janë me viktimat, njerëzit që luftojnë për jetën e tyre, familjet dhe të afërmit tyre”, shkroi Makron në Tuiter.

Televizioni francez BFM deklaroi se tre persona janë vrarë, ndërsa katër të tjerë janë lënduar nga të shtënat në qendër të Parisit kur një 69-vjeçar hapi zjarr ndaj këmbësorëve në rrugën pranë Qendrës kulturore kurde.

Televizioni publikoi se sulmuesi është arrestuar, ndërsa policia e ftoi opinionin të qëndrojë larg zonës së Parisit ku kanë ndodhur të shtënat.

Personi i arrestuar në të shtënat është i njohur për autoritetet franceze pasi para një viti sulmoi një kamp emigrantësh, njofton Rojters.