Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar për president të Kosovës, ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Glauk Konjufcën.
Propozimi është bërë i ditur përmes një komunikate për media, . Sipas VV-së, zgjedhjet e 28 dhjetorit dhanë rezultatin më të qartë në historinë e pasluftës në Kosovë dhe hapën rrugën për themelimin e institucioneve të reja.
Vetëvendosje thekson se, në prag të procesit të zgjedhjes së Presidentit, ka zhvilluar disa takime me subjektet më të mëdha opozitare me qëllim arritjen e një kandidature konsensuale. Megjithatë, sipas saj, nga opozita nuk ka pasur propozime konkrete dhe janë refuzuar edhe emrat e ofruar nga shumica.
Në këto rrethana, subjekti ka vendosur të dalë me kandidaturën e Glauk Konjufcës, aktualisht ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ish-kryetar i Kuvendit dhe deputet në shtatë legjislatura. Ai konsiderohet si një nga figurat më të votuara në historinë politike të vendit.
“Subjekti ynë politik është i bindur se në vendin tonë ka shumë emra të denjë për këtë pozitë të rëndësishme shtetërore, rreth të cilëve do të mund të ndërtohej një pajtueshmëri për të ecur përpara. Në këtë fazë, zgjedhjet e reja do të ishin krejtësisht të panevojshme. Në këto rrethana, Lëvizja VETËVENDOSJE!, pas të gjitha përpjekjeve për të arritur marrëveshje, do të propozojë për kandidat për President ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ish-kryetarin e Kuvendit, deputetin e shtatë legjislaturave dhe njeriun e dytë më të votuar në historinë e Republikës sonë, z. Glauk Konjufca.”, thuhet në njoftim.
