Lumenjtë e Kërçovës të mbushur me mbeturina, rrezikohet zhdukja e gjallesave ujore

TË FUNDIT

Pas ndotjes së madhe nga një materie e panjohur në lumin e Errët në Kërçovë, e cila vrau botën e gjallë , sërish kanë reaguar nga shoqata e peshkatarëve “Hunter Fish” të cilët kanë në koncesion lumenjtë e Kërçovës. Ata thonë se nëpër lumenjtë e Kërçovës ka pafund mbeturina, askush nuk kujdeset për këtë pasuri natyrore, ndërsa hedhja e mbeturinave në lumenj sjellin vetëm dëm.

“Probleme kemi shumë, probleme kemi me lumin e Treskës, tani që ndërtohet autostrada Kërçovë-Ohër në burim ku buron lumi Treska ka rënë nivel shumë të ulët ekstrem që do të thotë se ka punime joadekuate ku ka burim por do e presim situatën të shohim se si do te jetë më tutje por është goxha keq dhe siç e shihni edhe vetë ju mbeturinat vend e pa vend, deponi tek egra”, tha Besmir Elezi nga “Hunter Fish”.

Mbeturina nëpër lumenjtë e Kërçovës hidhen gjithandej, sidomos ku lumenjtë kalojnë nëpër fshatra, situatë për të cilën TV21 ka raportuar disa herën. Nga shoqata thonë se Kërçova ka pozitën dhe lumenjtë më të mirë për peshkim, gjë që mund të ngjallë turizmin, nëse kihet më shumë kujdes për lumenjtë.

“Turizmi i peshkimit në botë është në rritje, ndërsa ne kemi Lumenjtë adekuat për ata lloj turizmi por shumica nuk e dinë, për fat te keq ne tjetër alternativë për të thithur turistë nuk kemi si Kërçovë që jemi”, tha më tej Elezi.

Këto pamje tregojnë edhe daljen e ujit nga stacioni filtrues i qytetit, ku ka peshq, por më poshtë shihet ujë i turbullt duke dalë nga gypat e stacionit filtrues të ujërave të zeza.

Sa i takon çështjes së një jave më parë me peshqit e ngordhur, ende nuk ka një përgjigjet nga matjet e bëra nga Inspektorati i mjedisit jetësor të cilët edhe morën mostrat për analizë.