Personat juridikë që ushtrojnë veprimtari të hotelerisë, turizmit dhe transportit dhe tatimpaguesit tjerë që kanë pësuar dëme gjatë punës së tyre për shkak të zbatimit të masave për mbrojtje nga koronavirusi do të lirohen nga pagesa e shumës së akontacionit të tatimit të të ardhurave personale nga tatimi i fitimit për marsin, prillin dhe majin e vitit 2020, njoftoi sot drejtoresha e Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP) Sanja Lukarevska.
Ajo theksoi se Qeveria ka miratuar dekret për zbatimin e Ligjit për tatimin mbi të ardhurat personale gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, i cili parashikon lirim nga pagesa e shumës së akontacioneve të tatimit mbi të ardhurat personale për marsin, prillin dhe majin e vitit 2020, si dhe dekretin me të cilin parashikohet lirim nga pagesa e shumës së akontacioneve të tatimit të fitimit për marsin, prillin dhe majin e vitit 2020.
“Qëllimi i vetëm i këtyre masave është të ndihmojnë dhe mbështesin për të kapërcyer më lehtë këtë periudhë të vështirë për çdo individ dhe kompani që vuan pasojat e krizës së koronës. Për të shfrytëzuar këtë të drejtë, tatimpaguesit nuk duhet të paguajnë dividend ndaj pronarëve, shpërblim të suksesit të biznesit ose ndonjë shpërblim tjetër vjetor për të punësuarit dhe organet e menaxhimit dhe mbikëqyrjen e tatimpaguesit nga data e hyrjes në fuqi e dekretit deri në datën kur vlen lirimi, domethënë, gjegjësisht deri më 15 qershor 2020, si dhe të mos zvogëlohet numri i të punësuarve nga 26 marsi i vitit 2020 në tre muaj pas përfundimit të vlefshmërisë së tij, përveç në rast të vdekjes, pensionit ose dorëheqjes nga puna nga i punësuari”, tha Lukarevska në konferencën e sotme për media në Qeveri.
Ajo theksoi se tatimpaguesit nga veprimtaritë të tjera mund të ushtrojnë të drejtën e lirimit nga pagesa e akontacionit të tatimit nëse të ardhurat totale të tatimpaguesve zvogëlohen për të paktën 40 për qind në muajin vijues në krahasim me shkurtin e vitit 2020. Përveç kësaj, e drejta mund të ushtrohet edhe nëse ulja e të ardhurave të përgjithshme për vitin 2020 është më shumë se 40 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, si dhe nëse numri i të punësuarve që nuk kontribuojnë në veprimtarinë ekonomike të punëdhënësit për zbatimin e masave arrin të paktën 25 për qind të numrit të përgjithshëm të të punësuarve në shkurt të vitit 2020 ose tatimpaguesi të ketë mbyllur të paktën 50 për qind të pikave të shitjeve përmes të cilave ai realizon qarkullimin si filiale, objekte shitje dhe të ngjashme.
Lirimi nga pagesa e tatimit të të ardhurave personale, shtoi ai, u dedikohet tatimpaguesve që realizojnë të ardhura nga hotelieria, turizmi dhe transporti, por edhe tatimpaguesit e tjerë që realizojnë të ardhura nga veprimtari të pavarura, dhe kanë pësuar dëmtime në punën e tyre për zbatimin e masave të mbrojtjes nga Kovid-19.
Për përdorimin e lehtësimit, siç tha ai, personat e vetëpunësuar parashtrojnë kërkesë për lirim nga pagesa e shumës së akontacioneve paraprake të tatimit të të ardhurave nga ushtrimi i veprimtarisë së pavarur – formularin DLDOMA përmes sistemit të e-tatimeve personale të DAP-it.
MIA
