Luftime mes Armenisë dhe Azerbajxhanit

TË FUNDIT

Armenia dhe Azerbajxhani raportuan për përleshje të reja kufitarendërmjet trupave të tyre herët më 13 shtator, mes thirrjeve nga Uashingtoni për ndërprerje të menjëhershme të armiqësive midis dy vendeve.

Që nga fundi i luftës së vitit 2020, ka pasur shpërthime të shpeshta midis Jerevanit dhe Bakut mbi rajonin e shkëputur të Nagorno-Karabakut, përgjatë kufirit të tyre të përbashkët.

“Të martën [13 shtator] në orën 00:05 të mëngjesit, Azerbajxhani filloi granatimet intensive, me artileri dhe armë zjarri të kalibrit të madh, kundër pozicioneve ushtarake armene në drejtim të qyteteve Goris, Sotk dhe Jermuk”, tha ministria e Mbrojtjes e Armenisë.

Ndërsa ministria e mbrojtjes e Azerbajxhanit akuzoi Armeninë për “akte armiqësore në shkallë të gjerë” pranë rretheve Dashkesan, Kelbajar dhe Laçin në kufi, duke shtuar se pozicionet e ushtrisë së saj “u vunë nën zjarr”.

“Ka humbje midis ushtarakëve (azerbajxhanë),” tha ministria, pa dhënë shifra.

Armenia nuk përmendi humbje, por tha se përleshjet vazhduan gjatë natës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë thirrje, më 12 shtator, për t’i dhënë fund konfliktit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Uashingtoni është “thellësisht i shqetësuar” për situatën, duke përfshirë “sulmet e raportuara kundër vendbanimeve dhe infrastrukturës civile” në Armeni.

Baku dhe Jerevani janë përfshirë në një konflikt për rajonin e shkëputur të Azerbajxhanit, Nagorno-Karabak, për vite me radhë.

Separatistët e mbështetur nga armenët kapën rajonin e populluar kryesisht me armenë nga Azerbajxhani, gjatë një lufte në fillim të viteve 1990 që vrau rreth 30.000 njerëz.

Përpjekjet diplomatike për të zgjidhur konfliktin sollën pak përparim gjatë viteve dhe të dy palët nisën një tjetër luftë në vitin 2020, që zgjati gjashtë javë, përpara se të miratohej një armëpushim i ndërmjetësuar nga Rusia.

Sipas armëpushimit, pjesë të rajonit të shkëputur dhe shtatë shtatë rrethet përreth u kthyen nën kontrollin e Azerbajxhanit. Rreth 2.000 trupa ruse janë vendosur atje për të ruajtur paqen.

Nagorno-Karabak njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit.