Kryetari i LSDM-së Venko Filipçe i dha ultimatum pushtetit të heqë dorë nga shfuqizimi i qeverisë së Përzhinës, përndryshe njoftoi se do të tërhiqen nga grupi punues për përgatitjen e Kodit Zgjedhor. Këtë e deklaroi pasi për sot ishte njoftuar seanca në të cilën me procedurë të shkurtuar duhej të shfuqizohej qeveria teknike. Sipas tij, pushteti ushtron qeverisje autokratike që është goditje e drejtpërdrejtë ndaj demokracisë. Kjo po bëhet me nxitim sepse së shpejti do të mbarojnë paratë në buxhet, pas çka do të ketë zgjedhje të parakohshme, tha Filipçe.
“Nëse sot ky ligj kalon në Komision dhe pushteti vazhdon procedurën parlamentare, grupi ynë parlamentar tërhiqet nga grupi punues për Kodin Zgjedhor. Ky ligj për Qeverinë dhe shfuqizimi i qeverisë së Përzhinës duhet të tërhiqet nga pushteti. Mënyra të tilla autokratike nuk lejohen dhe nuk do t’i pranojmë”, tha Venko Filipçe — kryetar i LSDM-së.
Nga Qeveria e dënojnë këtë veprim të LSDM-së, duke thënë se e njëjta parti në të kaluarën kërkoi shfuqizimin e qeverisë teknike.
“Ky është edhe një manovër politikisht e papjekur dhe vlerësoj se veprimi në këtë mënyrë nuk sjell asgjë të mirë në interes të qytetarëve. Institucionet duhet të jenë demokratike. Kjo Qeveri e ka treguar se kemi demokratizim, se vërtet mundemi dhe dimë si t’i udhëheqim institucionet dhe duhet t’i braktisim modelet që kanë qenë në të kaluarën”, u shpreh Marija Miteva — zëdhënëse e qeverisë .
Qeveria teknike është zgjidhje e Marrëveshjes së Perzhinës të vitit 2015, për dalje nga kriza politike e asaj kohe në vend. Me të parashikohet që 100 ditë para zgjedhjeve të formohet qeveri teknike në të cilën në ministri të caktuara hyjnë kuadro nga opozita, me qëllim të sigurimit të zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
