Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se do të angazhohet për gjetjen e një zgjidhjeje për situatën me “Alta Bank” SHA Manastir dhe se nuk do ta injorojë problemin. Ai tha se synimi është të shpëtohen fillimisht vendet e punës në bankë dhe më pas të mbrohen edhe interesat e kreditorëve, përcjell TV21. Mickoski i bëri këto komente gjatë seancës mbikëqyrëse në Kuvend për rastin e Alta Bankës, duke theksuar se banka është likuide dhe se Banka Popullore ka reaguar me kohë.
“Mbetem në qëndrimin se kjo bankë është absolutisht likuide, se sistemi ynë ka mekanizma për ta ruajtur stabilitetin dhe se mekanizmat që ka në dispozicion Banka Popullore kanë ndërhyrë në kohë. Sipas të gjithë ekspertëve me të cilët jam konsultuar, është vepruar në kohë dhe sipas rregullave, me qëllim shpëtimin e këtij institucioni financiar”, tha Mickoski.
Kryeministri tha se masat e ndërmarra dhe ato që pritet të pasojnë synojnë mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe të shtetit. Ai u shpreh se banka nuk do të falimentojë sikurse Eurostandard Bank në kohën e qeverisjes së LSDM-së.
“Në fund do të arrijmë te një zgjidhje dhe kjo bankë nuk do të falimentojë siç ndodhi me Eurostandardin, e cila falimentoi pasi disa ditë më parë një ministër i Financave në qeverinë e LSDM-së dhe BDI-së kishte tërhequr depozitën e tij. Kjo është diçka skandaloze”, deklaroi Mickoski.
Ai mohoi se ka vepruar në ndonjë cilësi për të mundësuar hyrjen e Alta Bankës në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë seancës, Mickoski publikoi edhe një vendim të qeverisë së LSDM-së, në kohën kur kryeministër ishte Dimitar Kovaçevski, me të cilin ishte kërkuar vendosja e marrëdhënieve afariste me Alta Bankën. Ai theksoi se në atë qeveri kishin qenë ministra edhe gjysma e deputetëve që sot janë pjesë e grupit parlamentar të LSDM-së.
Mickoski prezantoi një vendim zyrtar të publikuar në “Gazetën Zyrtare” numër 123 të vitit 2023, me të cilin qeveria e atëhershme kishte dhënë pëlqimin për shitjen e aksioneve në Stopanska Banka SHA Manastir, e cila sot është Alta Banka.
“Teza ime është se në vitin 2023, qeveria e LSDM-së dhe BDI-së kishte marrë vendim që ta obligojë Avokaturën Shtetërore të hyjë në komunikim me të njëjtin person, Davor Macura, dhe me Alta Bankën në Serbi, si dhe të vendosë marrëdhënie afariste me të. Qeveria juaj, zoti Venko Filipçe, së bashku me BDI-në, me propozim të ministrit të BDI-së, Fatmir Besimi, e kishte udhëzuar Avokaturën Shtetërore të vendosë marrëdhënie afariste me Davor Macurën, pronarin e Alta Bankës në Serbi, dhe të tjetërsojë aksionet në pronësi të Maqedonisë. Pra, shumë kohë para se Alta Banka të vinte në Maqedoni, ju si qeveri kishit vendosur marrëdhënie afariste me këtë person”, tha Mickoski.
Ai pyeti nëse në vitin 2023 nuk kishte kapital rus apo para kriminale, duke iu përgjigjur kështu akuzave të opozitës se qeveria aktuale kishte lejuar hyrjen e kapitalit të tillë në vend.
“Kjo është kundërteza ime ndaj pretendimit tuaj se ne e kemi lejuar këtë. Në fakt, ju shumë më herët keni ditur për këtë person dhe kapitalin e tij dhe e keni futur shtetin në marrëdhënie afariste me të”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve Venko Filipçe dhe Bojan Stojanovski.
