Arrestohet një shtetas gjerman në Kosovë, sekuestrohen 43 armë të gjata automatike

TË FUNDIT

Një shtetas gjerman është arrestuar në Kosovë, nën dyshimin për përfshirje në veprimtari kriminale që lidhen me krimin e organizuar dhe trafikimin e paligjshëm të armëve, përcjell TV21. Sipas komunikatës së përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, i dyshuari me inicialet L.S. është ndaluar në rajonin e Gjilanit. Gjatë kontrollit dhe skanimit të automjetit me të cilin po udhëtonte, janë zbuluar dhe sekuestruar 43 armë të gjata automatike.

Me urdhër të Prokurorisë Speciale, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Ai dyshohet për veprat penale të pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminal të organizuar, si dhe importit, eksportit, furnizimit, transportimit apo shitjes së paautorizuar të armëve dhe materieve plasëse.

Policia dhe Prokuroria Speciale bëjnë të ditur se hetimet janë duke vazhduar për të zbardhur plotësisht rastin, përfshirë verifikimin e origjinës dhe destinacionit të armëve të sekuestruara.