Tregu i patundshmërive në Maqedoninë e Veriut vazhdon të shënojë aktivitet të konsiderueshëm ekonomik, por me një dinamikë të ngadalësuar të shitblerjeve gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, informon Agjencia për Kadastër të Patundshmërive, përcjell TV21.
“Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 7.679 transaksione, që paraqet një ulje prej 8,2% krahasuar me tremujorin paraprak. Numri i shitblerjeve ka shënuar rënie prej 12,1%, ndërsa numri i qirave është rritur për 2,8%. Vlera e përgjithshme financiare e tregut arrin në 339 milionë euro, që është 3,6% më pak krahasuar me tremujorin paraprak. Prej tyre, 337,8 milionë euro janë nga shitblerjet, me rënie prej 3,6%, ndërsa 1,1 milion euro nga qiratë, me rënie prej 10,2%”, thuhet në njoftim.
Nga Agjencia theksojnë se veçanërisht interesant është treguesi për tregun e banesave, ku shitja e tyre ka shënuar rënie prej 14%, ndërsa vlera e përgjithshme financiare është ulur për 6% krahasuar me tremujorin paraprak. Në anën tjetër, te qiratë është regjistruar rritje prej 45% e numrit të banesave të dhëna me qira, si dhe rritje prej 31% e vlerës së përgjithshme mujore të qirasë, krahasuar me tremujorin paraprak.
“Vlerësimi ynë është se tregu shfaq lëvizje të ndryshme në të dy segmentet: aktivitet të reduktuar te shitblerjet dhe rritje të moderuar të numrit të kontratave të qirasë, por ulje të vlerës së përgjithshme mujore të qirasë”, thuhet në njoftim.
