Ishte një nga anëtarët më të shquar partiakë, por disa muaj para mbajtjes së zgjedhjeve lokale, u ndanë. Maksim Dimitrievski ishte përjashtuar nga LSDM-ja për shkak të qëndrimeve të kundërta të partisë lidhur me shumë çështje, prandaj socialdemokratët vendosën që për kryetar të Kumanovës të kandidojnë dikë tjetër. Por, Dimitrievski si kandidat i pavarur nga kumanovarët kërkoi edhe një mandat dhe kështu fitoi në raundin e dytë. Kishte akuza në relacion LSDM-Dimitrievski, por në fund ai arriti të fitojë, kurse tani disa përpiqen ta kthejnë atë në parti. Sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Lupço Nikollovski në emisionin “21 Analizë” në mënyrë indirekte pranoi se ndoshta kanë bërë gabim me Dimitrievskin.
“Të bashkuar, me shumë ndryshime, me shumë dobësi të detektuar ose me mënjanim të të njëjtave në funksion, siç më pyetët, do të jetë një parti tërësisht e gatshme për fitore të reja.
B.J.: Të përmbledhim, do të tentoni ta ktheni Maksimin?
L.N.: Do të tentojmë të bëjmë gjithçka, po!”
Por Dimitrievski thotë se askush nuk mund ta kthejë në partinë prej së cilës asnjëherë nuk ka dalë dhe sipas statutit të partisë, ai ende është anëtar i LSDM-së. Shton se me padurim pret që të mblidhet Bordi qendror i partisë ku duhet të diskutohet për statusin e tij, por edhe për politikat e dëmshme të pjesë të udhëheqësisë.
“Pres realizim të dorëheqjeve të paralajmëruara dhe ndryshime të kuadrove brenda qeverisë por edhe brenda partisë, për shkak se një nga parimet tona ishte se “Besa është besë”…nuk do të lejoj të jem pjesë e lojërave të disa personave për marrjen e pikave të lira politike. Fokusi im për momentin është që t’i realizoj projektet që i kam premtuar dhe për të cilat e morëm besimin e qytetarëve, duke i respektuar parimet reale socialdemokrate”.
Më 31 gusht këtë vit LSDM njoftoi se Dimitrievski është përjashtuar nga partia, për shkak se ka vendosur që në zgjedhjet lokale të dalë si kandidat i pavarur. Pikërisht sekretari i përgjithshëm i partisë, Lupço Nikollovski, duke e promovuar kandidatin për Kumanovë, Oliver Ilievskin, pati deklaruar se Dimitrievski është vetëpërjashtuar nga partia. Pat theksuar se LSDM-ja ka vetëm një kandidat për Kumanovë, duke aluduar në vërejtjet e opinionit publik se në komunën më të madhe në shtet LSDM-ja do të garojë kundër LSDM-së në zgjedhjet lokale.
