LSDM i kërkon SAShK-ut ta ndërpresë grevën! VMRO-DPMNE: Me marrëveshjen kolektive rroga arrin 45 mijë denarë

TË FUNDIT

Partia në pushtet LSDM i kërkon Sindikatës për Arsim dhe Shkencë ta ndërpresë grevën në arsim. Deputetja Sanella Shkrejli ripërsëriti zgjidhjen e ofruar nga Qeveria, që është oferta për rritje të pagave për 10 për qind. I apeloi SAShK-ut që jo vetëm ta ndalë grevën, por edhe të rikthehet në dialog, për siç tha, jo vetëm rritjen e pagave por edhe për marrëveshje të re të përgjithshme dhe metodologji për rritje të vazhdueshme të pagave në arsim.

 “Është e patjetërsueshme që kryesia e SAShK-ut të ndërpresë grevën, t’u mundësojë nxënësve që të kthehen në shkollë, ndërsa kërkesat e tyre t’i arrijnë në dialog me institucionet kompetente. Qeveria tashmë ka ofruar një zgjidhje konkrete, e cila është rritja e pagave për 10 për qind, gjegjësisht paga më të larta për 2.500 deri në 3.000 denarë për punonjës dhe atë në kohë krize. Refuzimi i këtij propozimi është jokonstruktiv”, theksoi Sanella Shkrelj, LSDM.

E opozitarja VMRO-DPMNE akuzon qeverinë dhe LSDM-në për presione dhe kërcënime ndaj mësuesve dhe SAShK-ut që po e shfrytëzon të drejtën për grevë. I kërkojnë Qeverisë që t’i pranojë kërkesat e Sindikatës, ndërsa zëdhënësja Marija Miteva tregoi se sa do të ishte paga e mësuesve nëse do të respektohej marrëveshja kolektive.

 “Me respektimin dhe harmonizimin e marrëveshjes kolektive, rroga për mësues me kontratë të përkohshme nga 22.764 denarë do të rritet në 41.256 denarë, ose nga 24.782 denarë, paga neto do të jetë 45.054 denarë për mësues. Në shkollat e mesme nga 25.000 denarët e tanishëm, rroga me harmonizimin e marrëveshjes kolektive do të jetë 45.000 denarë”, theksoi Marija Miteva, VMRO-DPMNE.

Greva në arsim ka nisur nga 11 prilli dhe kjo është java e tretë që nuk mbahet mësim në shkollat fillore dhe të mesme. Greva ka përfshirë mbi 25 mijë punonjës në arsim.