LSDM tani është e qetë sepse me deputetët e ASH-së nuk rrezikohet shumica e thjeshtë. Zv/kryetarja e kësaj partie Sanja Llukarevska, bile beson se ka edhe forca të caktuara nga partia opozitare VMRO-DPMNE, të cilët do të japin mbështetje për rrugën europiane.
“Ka më shumë forca në kuadër të partive parlamentare që e shohin agjendën europiane, kjo është në fakt ajo baza për të cilën duhet të përpiqemi në të ardhmen si dhe kontributi ynë parasëgjithash, si LSDM dhe gjithë partnerët e koalicionit, sikurse me partnerin tanë BDI, tani edhe me partnerin e ri të koalicionit, ASh dhe besoj se ka edhe forca të caktuara pranë VMRO-DPMNE-së, që do të qëndrojnë bashkë me ne në rrugën europiane”, tha Sanja Llukarevska, zv/kryetare e LSDM.
Alternativa e Afrim Gashit pasi u shkëput nga shumica, ka nisur takime për ndonjë bashkëpunim të mundshëm me partitë opozitare. Së fundmi u përfol për një takim që pati në Kuvend Gashi me liderin e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski si dhe të ashtuquajturin grupin e zjarrit nga BDI, për të cilët dihet se nuk do të votojnë pro.
“Me grupin e zjarrit e dini që kemi pasur komunikim, me BESËN ende nuk kemi komunikim, por këto janë punë që duhet të rishikohen më pas”, tha Zeqirja Ibrahimi, sekretar nga AAA.
Pas Alternativës, pesë ditë më parë shumicën parlamentare e lëshoi edhe Lidhja Demokrate, e cila ishte pjesë e koalicionit me vetëm 1 deputet, kryetarin e partisë, Pavle Trajanovin. Ai paralajmëroi se nuk do ta votojë rikonstruimin e Qeverisë.
Alternativa ka 3 deputetë. Bashkë me ta e gjitha shumica parlamentare i kishte 64 deputetë, ndërsa tani pa Alternativën dhe pa LD i ka 60. Nëse nuk llogariten edhe 3 deputetet e grupit të zjarrit, mbeten 57 deputetë.
Por me përfshirjen e ASH-së shumica do të ketë 65 deputetë.
Me ritëm të njëjtë edhe dje vazhdoi debati për rikonstruktimin e Qeverisë, gjegjësisht për shkarkimin e ministrit për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Admirim Aliti, pasi dy ditë më parë përfundoi debati për shkarkimin e ministrit të Shëndetësisë, Bekim Sali.
