“Jam mësuar të luftoj. Dikur kam luftuar kundër një regjimi. Por a ka diçka të ngjashme në sipërfaqe edhe tani”?
Kështu u shpreh Kryetari i Komunës së Kumanovës Maksim Dimitrievski, nëpërmjet një statusi në Facebook në lidhje me situatën në të cilën ndodhet. Por për çfarë regjimi e ka fjalën Dimitrievski, a ia hodhi këto fjalë partisë së tij LSDM-së, ku thotë se po më shqiptojnë dënime për të mbuluar lëshimet që sipas tij i kanë bërë në Kumanovë.
“Statusi është i sinqertë sepse unë tashmë disa ditë edhe përkundër faktit që po e kërkoj raportin e famshëm nga mbikëqyrja e Inspektoratit për ta parë, as unë dhe as anëtarët e shtabit ku mbrëmë e kërkuam raportin nuk na u dha, ndërkohë po përgatitet shqiptimi edhe e një shkeljeje, kuptova se do të me shqiptohet padi penale. Unë jam këtu gati për tu përballur me të gjitha sfidat, por kjo po me duket mua sikur edhe një trik si komandant i shtabit, për t’i mbuluar lëshimet që i kanë bërë në lidhje situatën me Kumanovën time dhe kumanovarët”, tha Maksim Dimitrievski, kryetar i Kumanovës.
LSDM distancohet nga deklaratat e bashkapartiakut Dimitrievski. Nga kjo parti thonë se Dimitrievski e quan regjim veprimin e institucioneve shtetërore dhe ligjet të cilat vlejnë për të gjithë.
“LSDM distancohet nga deklarata të tilla të Maksim Dimitrievskit dhe sjelljes së tij ditëve të fundit. Qeveria e udhëhequr nga LSDM vazhdon të jetë e përqendruar në gjendjen shëndetësore në Kumanovë dhe në tërë RMV. Deklaratat e tipit se: A i ngjan kjo një regjimi? – Ju them se assesi nuk do t’i ndalojnë institucionet të veprojnë komfor ligjeve. Edhe vetë Maksim Dimitrievski e di se në shtetin tonë ligjet vlejnë për të gjithë njësoj”, tha Kostadin Kostadinov, zëdhënes i LSDM.
Ndryshe Maksim Dimitrievski për shkak se nuk i është përmbajtur izolimit, ku është vendosur pasi ka rezultuar pozitiv nga Covid-19, është dënuar me gjobë nga 300-500 euro, pas mbikëqyrjes që ka realizuar Inspektorati Shëndetësor dhe Sanitar.
Mbrëmë Ministri i Punëve të brendshme teknik Naqe Çulev njoftoi se Dimitrievskit do t’i vijojë edhe padi penale.
