Lojërat e fatit 500 metra larg objekteve shkollore. Antibixhozi e përshëndet! APIS: 10 mijë persona do të mbeten pa punë

TË FUNDIT

Qeveria miratoi propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lojërat e fatit. Në të parashikohet që objektet e tilla të jenë 500 metra larg të gjitha objekteve arsimore. Lëvizja Antibixhoz e ka përshëndetur këtë propozim, duke thënë se është mirë si fillim.

“Erdhi koha që të fillohet nga diku për këtë gjendje kaotike që mbizotëron më Maqedoninë e Veriut dhe si fillim jemi të kënaqur dhe presim që këtë ligj ta fusin urgjentisht në funksion dhe të veprojë shteti për parandalim të lojërave të fatit dhe pse kërkesat tona kanë qenë fillimisht tre kilometrave jashtë vendbanimeve dhe objekteve shkollore, por edhe ky ligj tash për momentin është i pranueshëm për ne. Këtë betejë e kemi filluar shtatë vite dhe më në fund kurorëzohet me një ligj edhe pse i cunguar 500 metra vijë ajrore, por mendojmë se do të pastrohet e gjithë Maqedonia jo vetëm Tetova, por gjithë qytetet nga kjo katrahurë që e ka përfshirë këtë vend”, tha Jushi Emurllahu, Lëvizja Antibixhoz.

Nga Asociacioni i Punonjësve të Lojërave të Fatit ankohen se Qeveria më këtë do të bëjë që rreth 10.000 të punësuar të mbeten pa punë, ndërsa në anën tjetër do të rritet organizimi i lojërave të fatit në të zezë.

“Qeveria filloi procesin e mbylljes së lojërave të fatit në Maqedoninë e Veriut! Qeveria do të përpiqet që propozim-amendamentet e Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese t’i shtyjë në Kuvend me procedurë të shpejtë me flamur europian. Do të anulojë punën e 10 mijë personave dhe do të varfërojë buxhetin e shtetit me 280 milionë euro në vit. E gjithë kjo në kushtet e një krize ekonomike të paprecedentë, më e madhja që nga Lufta e Dytë Botërore”, thonë nga Asociacioni i Punonjësve të Lojërave të Fatit

Deri më tani nuk ka pasur një ligj i cili përcakton lokacionin se ku mund të hapet lojërat e fatit. Ato gjenden edhe afër shkollave dhe objekteve fetare. Për këtë arsye Lëvizja Antibixhoz në vazhdimësi ka protestuar kundër bastoreve dhe kazinove, duke i llogaritur një kancer për shoqërinë dhe familjen.