“Lojëra fati” në shkollën e Tetovës / Inspektorati në kontroll, drejtoresha dyshon për inskenim të rastit

TË FUNDIT

Pas publikimit të videos në Televizioni 21, se në një shkollë të mesme të Tetovës nxënësit në kompjuter luajnë lojëra të fatit, gjatë ditës së sotme inspektorati komunal shkoi në shkollën e mesme “8 shtatori”, ku edhe është xhiruar videoja. Nga sektori për arsim pranë komunës së Tetovës thonë se pas dokumentimit të rastit, do të marrin edhe masa ligjore.

“Pas publikimit të videos në Televizionin 21, se në njërën nga shkollat e mesme të Tetovës është keqpërdorur ora mësimore me lojëra të ndryshme të fatit, ne si sektor bashkërisht me inspektoratin komunal të arsimit ne ishim në shkollë të mesme dhe pas zbardhjes së plotë të rastit, mbledhjes së fakteve se si ka ndodhur si rast dhe pas dokumentimit të rastit do të merren masa ligjore që i përfshin ligji për inspektim në arsim të mesëm”,u shpreh Nazmi Dauti, sektori për Arsim i Komunës së Tetovës.

TV21 ishte në shkollën e mesme “8 shtatori”, por drejtoresha e shkollës Mirjeta Ilazi nuk pranoi të flasë para kamerës. Në një përgjigje me shkrim nuk e mohoi se rasti ka ndodhur në shkollë, por ngre dyshime nëse “lojërat” janë zhvilluar gjatë orës së mësimit, madje edhe dyshime se rasti mund të jetë i inskenuar.

“Ne në kabinetin e informatikës kemi instaluar kompjuter edhe pajisjet e nevojshme për të zhvilluar një orë me standarde që i kërkon koha, por jo edhe aparate për poker, e as kazino, mendoj se para publikimit të konstatimeve të këtilla duhet të keni kujdes çfarë fjalori përdorni, sepse bëhet fjalë për fëmijë brenda një institucioni edukativ. Nxënësit mund të kenë luajtur lojë kompjuterike, që po ashtu është e ndaluar, por mendoj se ka ndodh kur profesori i lëndës përkatëse për ndonjë arsye nuk ka qenë prezent në klasë. Masa do të marrim kur t’i kemi të dhënat të kompletuara dhe të sakta. Se a është incizuar videoja gjatë orës mësimore nuk është vërtetuar as edhe a është videoja reale apo inskenim nuk është vërtetuar”, sqaroi Mirijeta Ilazi, drejtoreshë e shkollës së mesme “8 Shtatori”.

Se çfarë ka ndodhur në të vërtetë, do të duhet ta vërtetojë inspektorati komunal dhe ai i arsimit, nëse ato që po luajnë fëmijët kanë qenë thjesht video lojëra dhe jo bixhoz online dhe nëse janë xhiruar gjatë orës mësimore ose jo.