Në fillim tha se në vitin 2025 do të hapen 25 çerdhe të reja.
“Për vitin 2025 janë paraparë hapja e 25 çerdheve të reja”, tha Fatmir Limani – ministër i Politikës Sociale, Demografisë dhe RINISË.
Por kur u pyet për t’u qartësuar, ministri i politikës sociale Fatmir Limani saktësoi – do të ndërtohen, se s’mund të hapen të gjitha brenda një viti.
-Thatë se do të hapen 25 çerdhe, do të ndërtohen apo të do të hapen?
“Do të ndërtohen, do të ndërtohen… Nuk do të thotë se hapen, se ato nuk përmbyllen brenda vitit 2025, sikur të jenë edhe 10 milionë ose 5 milionë, nuk përmbyllen për një vit një projekt”, u shpreh ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.
E rëndësishme, sipas Limanit, është që të ketë planifikim buxhetor për nisjen e projekteve, gjersa sqaroi se planifikimet i bëjnë komunat, sipas nevojave.
Këto i tha nga Tetova, ku u hap çerdhja “Rilindja”.
Për kryetarin e komunës, Bilall Kasami, ajo do t’i plotësojë nevojat e qytetarëve, edhe pse ende nuk dihet saktë se sa është lista e prindërve që presin për t’i regjistruar fëmijët në çerdhe.
“145 familje do të kenë mundësi që t’i sjellin fëmijët e tyre këtu edhe të kërkojnë punë. Deri tash ajo ka qenë e pa munduar se për të punuar të dy prindërit duhet të kenë ku t’i lënë fëmijët e tyre”, potencoi Bilall Kasami – kryetar i Komunës së Tetovës.
“Nga 150 fëmijë, 60 prej tyre janë veç më të regjistruar në kopsht dhe kemi pasur prindër që, nga kjo listë e pritjes, pretendojnë të fillojnë nga shkurti apo marsi. Ky objekt, 145 besoj se do të arrijë të mbushet nga sot kur fillon me punë, pastaj pas mbushjes së këtij kapaciteti do të kemi edhe njeh listë ku do të shihet edhe sa do të jetë lista e pritjes”, theksoi Fatlinda Jahja – drejtoreshë e Çerdhes.
Në fillim të shtatorit lista e pritjes për çerdhe në Tetovë ishte 250 fëmijë, 147 prej të cilëve janë paraparë të vendosen çerdhen që u lëshua sot. Numri i përgjithshëm i fëmijëve në të gjitha çerdhet e Tetovës është 1300.
