Ligji u soll por pajisjet nuk janë askund! A do të votohet me shenja gishtash në zgjedhjet lokale?

TË FUNDIT

Në Maqedoninë e Veriut, duke nisur nga zgjedhjet lokale në tetor, do të zbatohet votimi biometrik apo përmes shenjave të gishtave. Për këtë është miratuar rregullativa ligjore, por edhe pse zgjedhjet po afrohen pajisjet e nevojshme ende nuk janë siguruar. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve thonë se vazhdon procedura e ankesave për tenderin dhe do të përfundojë të hënën. Deri më tani nuk është dërguar asnjë ankesë, pohojnë ata, por shpresojnë se pajisjet do të arrijnë deri në zgjedhjet lokale. Nga partia opozitare VMRO-DPMNE thonë se zgjedhjet patjetër duhet të mbahen me votim biometrik, sepse kjo u votua dhe ka ligj për këtë procedurë votimi.

“Nuk është në pyetje dëshira, a do Zoran Zaevi ose VMRO-ja a do ose nuk do diçka të tillë, aty është në pyetje ligji, ajo ka hyrë në ligjin për fingerprint dhe patjetër zgjedhjet të mbahen me shenja të gishtërinjve. Ajo ka hyrë në ligj është votuar nga ana e Kuvendit të RMV-së, kështu që nuk ka çfarë të diskutohet. Kështu që zgjedhjet patjetër të mbahen me shenja të gishtërinjve “fingerprint””, tha Dimçe Arsovski nga VMRO-DPMNE-ja.

Edhe nga Aleanca për Shqiptarët thonë se fingerprinti tanimë është normë ligjore dhe duhet respektuar.

“Për këtë temë do të ju lutemi të kërkoni prononcim nga KSHZ, sepse fingerprinti tanimë është normë ligjore dhe është e detyrueshme në zgjedhje po aq sa edhe lista zgjedhore dhe fletëvotimi”, vlerësojnë nga Aleanca për Shqiptarët.

Nga partia në pushtet LSDM thonë se zgjedhjet do të mbahen brenda afatit kushtetues. Procedura për printfinger është në rrjedhë e sipër.

“Sipas informacioneve që i kemi, procedura e furnizimit është në rrjedhë të sipër, për shkak se ato duhet t’i prokurojnë në kohë dhe për shkak se zgjedhjet do të mbahen brenda afatit kushtetues me gjurmë gishtërinjsh, ashtu siç është përcaktuar në propozim-ligj”, thonë nga LSDM-ja.

KSHZ-ja e zgjodhi kompaninë gjermane “Dermalog” për prokurimin e pajisjeve teknike për votimin me gjurmë gishtash në zgjedhjet e ardhshme. Ndryshe zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, qofshin lokale, parlamentare apo presidenciale, në vazhdimësi kanë qenë objekt i përplasjeve mes partive politike, të cilat gjithmonë kanë kontestuar rezultatin zgjedhor, ndërsa me votimin me fingerprint sipas partive politike do të mënjanohen keqpërdorimet gjatë votimit.