Ligji për shtetësi arrin në Kuvend, nxehet partia e Apasievit – paralajmërojnë padi

TË FUNDIT

Qeveria njoftoi se Ligji për shtetësi me yllin evropian është dorëzuar në Kuvend. Këtë e konfirmoi edhe deputetja nga Aleanca për Shqiptarët, Ilire Dauti. Sipas saj ligji duhet të vendoset sa më shpejt në rendin e ditës në njërën nga seancat e ardhshme të Kuvendit. Koalicioni ASH-AAA ka për qëllim që ligji të miratohet para se Kuvendi të shkoj në pushim.

“Pasi ne e kryem atë pjesën teknike e dërguam në Qeveri dhe i njëjti është sjellë në Kuvend dhe tanimë ligji është në Kuvend dhe është në përgjegjësi dhe detyrë e kryeparlamentarit që sa më shpejtë në njërën nga seancat e radhës të Kuvendit ta fut si pikë të rendit të ditës. Është qëllim dhe një nga synimet tona kryesore që ligji të miratohet para se Kuvendi të shkoj në pushim”, tha Dauti.

Nga ana tjetër partia E Majta paralajmëroi padi penale për të gjithë nënshkruesit e ligjit. Thonë se nga sot me amendamente do ta bllokojnë punën e Kuvendit dhe të gjitha ligjet që vijnë nga shumica dhe Qeveria.

“Në këtë mënyrë, kontrabandim i ligjit paraqet vepër penale, dhe vepër penale do të ketë për të gjithë nënshkruesit e këtij ligji nëpër gjithë fazat. Duke filluar që nga ministria e Punëve të Brendshme, aty do të jetë nënshkrimi i ministrit Spasovski, nënshkrimi i kryeministrit Zaev si propozues i ligjit nga Qeveria, nënshkrimi i kryeparlamentarit Talat Xhaferi i cili duhet ta lëshojë në procedurë dhe nënshkrimi I presidentit Pendarovski i cili duhet ta nënshkruaj”, tha Borisllav Kërmov.

E Majta ftoi edhe partinë opozitare më të madhe maqedonase VMRO-DPMNE që t’i bashkëngjiten kësaj iniciative, sepse siç u shpreh deputeti Kërmov, këto punë nuk i pëlqejnë as VMRO-DPMNE-së.