Deputetja e Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, Bisera Kostadinovska-Stojçevska, deklaroi se Ligji për përdorimin e gjuhës maqedonase nuk po zbatohet edhe dy vjet pas miratimit të tij. Sipas saj, me iniciativë të grupit parlamentar të LSDM-së, në Kuvend ka nisur debati mbikëqyrës për të përcaktuar arsyet e moszbatimit të ligjit. Ajo tha se, përveç emërimit të drejtoreshës së Inspektoratit në prill të vitit 2025 dhe punësimit të dy inspektorëve së fundmi, nuk është realizuar pothuajse asnjë nga dispozitat kryesore të ligjit. Kostadinovska-Stojçevska kërkoi zbatim të plotë të ligjit dhe përfundimin e debatit me konkluzione konkrete.
“Pse e kemi paraqitur këtë iniciativë për debat mbikëqyrës? Sepse mund t’ju lexoj të gjitha nenet për të cilat nuk është vepruar, por kjo do të thotë se duhet t’ju lexoj të gjithë ligjin. Përveç emërimit të drejtoreshës më 9 prill 2025, një vit e dy muaj pas miratimit të ligjit, asgjë tjetër në lidhje me këtë ligj nuk funksionon. Kemi parë dy inspektorë të punësuar para gjysmë muaji në vetë Ministrinë e Kulturës, të cilët duhet ende të kalojnë një vit të tërë përgatitjeje që të mund të kryejnë mbikëqyrje”, pohoi Bisera Kostadinovska-Stojçevska –LSDM.
