Ligji i ri për arsimin e lartë, i cili periudhën e kaluar shkaktoi një numër të madh kritikash dhe polemikash nëse me të rrënohet autonomia e universiteteve, është në fazën finale. Kjo zgjidhje ligjore u fol edhe në takimin koordinues në Qeveri, ku kryeministri Hristijan Mickoski tha se me të krijohet mundësi që të rinjtë ta shohin të ardhmen e tyre, të studiojnë këtu dhe më pas të mbeten në shtet dhe të ndërtojnë rrugën e tyre profesionale dhe jetësore.
“Duhet të ofrojmë cilësi nëse duam të kemi gjenerata që nesër do ta udhëheqin këtë shtet. Duhet të përparojmë në listat ku vlerësohen universitetet tona, përfshirë edhe listën e Shangait, e cila, duam apo jo, paraqet listën kryesore referente që vlerëson cilësinë e arsimit të lartë”, tha Hristijan Mickoski – kryeministër.
Ministrja e arsimit Vesna Janevska tha se në përmirësimin e këtij ligji janë realizuar takime edhe me universitetet publike edhe me ato private, ku siç theksoi janë pranuar shumë sugjerime konstruktive prej tyre. Ajo pohon se kjo zgjidhje ligjore nuk e rrezikon autonominë e universiteteve.
“Ai ofron meritokraci përmes treguesve për produktivitet kërkimor, internacionalizim dhe bashkëpunim ndërmjet universiteteve, matje të cilësisë, dukshmëri të institucioneve të arsimit të lartë dhe stafit mësimor, përfitime për studentët dhe mundësi për përvetësimin e njohurive më të larta përmes programeve më cilësore të studimit”, deklaroi Vesna Janevska – ministre e Arsimit.
Në takimin koordinues morën pjesë edhe rektorët e 6 universiteteve publike, të cilët në parim dhanë mbështetje. Përmirësimi i vazhdueshëm i stafit mësimor do të thotë edhe përmirësim i studentëve, u theksua nga disa prej rektorëve.
“Universiteti “Nëna Terezë” e përshëndet iniciativën për cilësi më të mirë në arsimin e lartë dhe në këtë frymë paraqiti edhe propozime të konsoliduara për përmirësimin e të tre ligjeve draft, ligjin për veprimtari shkencore-kërkimore, ligjin për cilësi në arsimin e lartë dhe ligjin për arsimin e lartë”, theksoi Bekim Fetai – rektor i universitetit “Nëna Terezë”.
Propozim-ligji për arsimin e lartë kaloi në debat publik, ndërsa pas takimit koordinues në Qeveri do të pasojë harmonizimi ndërinstitucional, e më pas edhe miratimi i tij në seancë qeveritare. Zgjidhja e re ligjore më pas do të gjendet para deputetëve për miratim.
