Armëpushim 10-ditor Izrael–Liban, Netanyahu: Trupat nuk largohen

TË FUNDIT

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka konfirmuar arritjen e një armëpushimi 10-ditor me Libanin, duke e cilësuar atë si një hap drejt një marrëveshjeje të mundshme paqeje.

Ai deklaroi se e mirëpret këtë pauzë me qëllim avancimin e negociatave diplomatike, të cilat janë zhvilluar së fundmi në Uashington.

“Ne kemi një mundësi për të arritur një marrëveshje historike paqeje me Libanin”, u shpreh Netanyahu, sipas mediave ndërkombëtare.

Megjithatë, ai refuzoi kërkesën për tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga territori libanez, duke theksuar se trupat do të qëndrojnë në një zonë të zgjeruar sigurie për shkak të rrezikut nga sulmet.

Në anën tjetër, Hezbollah reagoi duke deklaruar se prania e ushtrisë izraelite në Liban i jep vendit të drejtën për rezistencë.

Marrëveshja për armëpushim u konfirmua edhe nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili tha se ajo u arrit pas bisedimeve me presidentin e Libanit, Joseph Aoun, dhe kryeministrin izraelit.

Sipas Trump, zëvendëspresidenti JD Vance dhe sekretari i shtetit Marco Rubio do të angazhohen për të arritur një paqe të qëndrueshme mes dy vendeve.