Në mënyrë ekspres dhe pa shumë zhurmë brenda partive, në Kuvend u votuan ndryshimet e Kodit Penal që parashikojnë ulje të dënimeve me burg për zyrtarët që bëjnë keqpërdorimin e detyrës dhe autorizimit, por nga ana tjetër ende nuk është në Kuvend ligji për amnisti për qytetarët që kanë kryer vepra më të lehta penale, e për të cilin Ministria e Drejtësisë që në korrik tha se është gati.
“Propozim ligji për amnistinë e veprave më të lehta penale është gati dhe këto ditë pritet të shqyrtohet nga 4 grupet parlamentare, pas së cilës do të procedohet në Kuvend.”- thanë nga Ministria e Drejtësisë
Se ligji është gati, ministri drejtësisë Krenar Lloga e pohoi edhe në fund të muajit gusht.
“Po, ligji është përgatitur dhe është dorëzuar tek të gjithë partitë politike, është dorëzuar në formë të shkruar edhe pranë misionit të BE-së dhe ambasadës së SHBA-së. Po ashtu është informuar edhe VMRO-DPMNE si parti politike, disa vërejtje janë inkorporuar në ligj, disa të tjera presim javëve në vazhdim dhe besoj se gjatë muajit shtator do të futet në procedurë parlamentare për t’u miratuar”- deklaroi Krenar Lloga, ministër i Drejtësisë.
Nga shërbimet e Kuvendit pohojnë se një propozim ligj i tillë ende nuk ka mbërritur deri tek ata, ndërsa tani edhe nga ministria e Drejtësisë thonë se ligji është në fazë përfundimtare.
“Propozim ligji është në fazën përfundimtare. Këto ditë do të ju dërgohet grupeve parlamentare për të dhënë vlerësimet e fundit dhe për ta procesuar ata në Kuvend.”- pohuan nga Ministria e Drejtësisë.
Nga dikasteri i Drejtësisë thonë se në parim të gjitha partitë pajtohen me ndryshim ligjin, por deputetja e VMRO-DPMNE-së Eli Panova thotë se as ata ende nuk e kanë parë ligjin.
“Të them të drejtën nuk e kam lexuar këtë ligj dhe nuk mund të jap qëndrim as timin po as të partisë sepse nuk e kam parë ligjin. Ligji nuk është në procedurë kuvendore dhe ju e dini se nuk bashkëpunojmë jashtë Kuvendit me anëtarët e LSDM dhe BDI dhe atyre të qeverisë.”- tha Eli Panova, deputete e VMRO-DPMNE-së.
Nga ministria e Drejtësisë shpjegojnë se nga ky ligj do të përfitojnë shumë qytetarë, të cilëve do t’u jepet mundësi shtesë për risocializim, ndërsa qëllimi i ligjit është të parandalojë mbipopullimin në burgje dhe të lirojë në mënyrë drastike ambientet e burgjeve, gjë që do të krijojë kushte optimale për të burgosurit e tjerë.