Ligjet për korridoret me nënshkrim të Pendarovskit/ “Nuk ka dispozitë antikushtetuese për 60 orë pune në javë”

TË FUNDIT

Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski, do të nënshkruaj dekretet e pesë ligjeve që Kuvendi i ka miratuar, e të cilët janë të nevojshëm për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D. Ai këtë e kumtoi pas konsultimeve me ekipin e tij juridik dhe siç tha ka parë që në ta nuk ka dispozitë e cila bie në kundërshtim me Kushtetutën, posaçërisht për Ligjin për marrëdhënie pune.

 

“Teksti i ligjit të miratuar nuk e përmban dispozitën e kontestueshme nga Gjykata kushtetuese e cila parashihte që orari i punës i secilit punëtorë mund të jetë mesatarisht 60 orë në javë gjatë vitit. Muajve të kaluar dhashë disa deklarata publike se nuk do të firmos dekretin për shpalljen e ligjit i cili përmban dispozitë e cila paraprakisht është kontestuar nga Gjykata kushtetuese dhe në atë drejtim teksti i ri i ligjit nuk e përmban definicionin 60 orë pune në javë.”- deklaroi Stevo Pendarovski, President I RMV.

 

 

Pendarovski tha se vendimin që ta nënshkruajë dekretin për pakon e ligjeve për korridoret 8 dhe 10D e ka sjellë në konsultim me ekspertët, sidomos me ata të së drejtës së punës. Për reagimin e sindikatave që votimin e ligjeve të premten e quajtën e premtja e zeze për të drejtat e punëtoreve, shefi i shtetit i thirri që t’i  kontestojnë para Gjykatës kushtetuese.

“Duke pasur parasysh vërejtjet e pjesë të sindikatave, pjesë të shoqatave civile që punojnë në këtë sferë, si dhe të disa partive politike, u sugjeroj se çdo palë e interesuar ka të drejtë që të parashtrojë iniciativë për vlerësimin e kushtetueshmërisë së çdo ligji duke përfshirë edhe të këtij ligji, Gjykata kushtetuese është i vetmi institucion i rendit tonë juridik që e ka fjalën e fundit në lidhje me kushtetueshmërinë e ligjeve.”- tha Stevo Pendarovski, President I RMV.

 

Kuvendi të premten e votoi pakon e ligjeve të duhura për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D për të cilën VMRO-DPMNE votoi kundër dhe vlerësoi se pakoja e këtillë është kriminale dhe e korruptuar. Konsorciumi amerikano-turk Behtel dhe Enka parashihet që t’i ndërtojë katër autostradat ndërsa afati për realizim është deri në vitin 2027.