Lajme dhe video të shumta u shfaqën së fundmi se 5G ka lidhje me pandeminë nga virusi korona. Madje në sipërfaqe dolën edhe lajme se edhe në Maqedoni po instalohet rrjeti 5G. Inxhinieri i telekomunikimeve Nusret Haliti në emisionin Click Plus i hodhi poshtë këto informacione. Sipas tij lidhja e rrjetit 5G me koronavirusin është qesharake.
“Kjo puna e Kovid 19 dhe 5G më duket si ajo puna e asaj teorisë së njerëzisë që besojnë se toka është e rrafshët. Unë them se 5G e bartë virusin Kovid 19 nëse toka do të kishte qenë e rrafshët. Me një fjalë kjo është një broçkulla e madhe se sistemet 5G shkaktojnë virusin Kovid 19”, tha Nusret Haliti, Inxhinieri i Telekomunikimeve.
Haliti foli edhe për videon e Bogovinës, e cila qarkullonte në rrjetet sociale, e që kinse ka lidhje me instalimin e rrjetit 5G. Ai thotë se testimi i 5G bëhet në Shkup e jo në Bogovinë siç aludohet.
“Testimet bëhen në Shkup, nuk bëhen në Bogovinë. Në bazë të raporteve të Agjencisë për komunikime elektronike, është bërë një test nga ana e T-mobile Maqedoni, raportin e kam këtu para meje, ky raport është diku 14,9% konformë nivelit të cilin e definon Organizata Botërore e Shëndetësisë”, tha Nusret Haliti, Inxhinieri i Telekomunikimeve.
Lajmet e rrejshme janë një dukuri shqetësuese në vendin tonë, thotë Sefer Selimi. Sipas tij qytetarët e Maqedonisë e kanë vështirë ta dallojnë lajmin e rrejshëm nga i vërteti, sepse mungon edukimi mediatik në vend.
“Maqedonia renditet si vendi i fundit në Evropë për edukim mediatik dhe për mendim kritik. Çfarë nënkupton kjo? Kjo nënkupton se një qytetarë i zakonshëm i Republikës së Maqedonisë është i fundit i cili është në gjendje të dallojë nëse një lajm është i rrejshëm ose është i vërtete”, tha Sefer Selimi, Democray llab.
Sipas Ministrisë për Shoqërisë Informatike dhe Administratë në vendin tonë deri më tani janë bërë vetëm dy testime për rrjetin 5G. Një në vitin 2018 në kushte laboratorike të kufizuara dhe të kontrolluara rreptësishtë dhe testimi i dytë në vitin 2019, në hapësirë të kufizuar. Nga atje kërkojnë që portalet dhe mediat të jenë më të kujdesshëm për informimin rreth rrjetit 5G.
