Nga 98% e numërimit të votave nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, Stevo Pendarovski nga selia e LSDM-së shpalli fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale. E në këtë rast nuk kanë munguar urimet nga liderët ndërkombëtar për presidentin e ri të Maqedonisë së Veriut. Urimet e para për Stevo Pendarovski erdhën nga presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, komisari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë Johannes Hahn, nga kancelari austriak Sebastian Kurz dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.
Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta në llogarinë e tij në facebook shkruan:
“Shumë urime Stevo Pendarovski për fitoren e tij në zgjedhjet e sotme presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Besimplotë për bashkëpunimin e shkëlqyer në të ardhmen, jo vetëm midis dy vendeve tona, por dhe për forcimin e perspektivës euroatlantike të rajonit. Shpresoj të takohemi së shpejti”, shkruan Ilir Meta në llogarinë e tij në facebook.
Ndërsa komisari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë Johanes Hahn në Twitter shkruan se nga presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut pret që të vazhdojë bashkëpunimin me agjendën reformuese të BE-së.
“Urime Stevo Pendarovskit në zgjedhjen e tij si president i Maqedonisë së Veriut. Pres të vazhdojë bashkëpunimi me agjendën reformuese të BE-së, në kontekst të përfundimeve të Këshillit vitin e kaluar”, shkruan në Twitter Johanes Hahn.
Edhe kancelari austriak Kurz nëpërmjet Twitterin ka uruar Pendarovskin. Sebastian Kurz në rrjetin social twitter shkruan:
“Urime për presidentin e ri të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. Do të vazhdojmë ta mbështesim vendin tuaj drejt anëtarësimit në BE”, ka shkruar Kurz.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg nga rrjeti social twitter uron Pendarovskin, për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale duke potencuar se së bashku do të punojnë për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut si anëtare e 30-të e NATO-s.
Edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradnijan nëpërmjet rrejtit social ka uruar qytetarët e Maqedonisë së Veriut për zgjedhjen e presidentit të ri. Haradinaj në facebook shkruan:“Urime qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për zgjedhjet e lira e demokratike presidenciale. Me këtë rast, i uroj fitoren presidentit të zgjedhur, Stevo Pendarovski. Kosova është gjithmonë e gatshme për fuqizimin e bashkëpunimit dhe avancimit të marrëdhënieve të mira me Maqedoninë e Veriut, në të mirë të të dy popujve tanë, të forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe të perspektivës sonë euro-atlantike”, ka shkruar Haradinaj.




