Krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së do të takohen sot dhe nesër në Bruksel fizikisht për samitin e rregullt të dhjetorit, tema kryesore dhe më urgjente është marrëveshja për buxhetin shtatëvjeçar të Unionit dhe Fondit për rimëkëmbje nga kriza, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.
Pas disa javësh bllokada dhe negociata Hungaria dhe Polonia janë të gatshme të heqin dorë nga veto për buxhetin në këmbim të garancive.
Varshava dhe Budapesti e kundërshtojnë mekanizmin e mbikëqyrjes së sundimit të ligjit të vendosur në rregullat e buxhetit të BE-së, por dje presidenti polak, Andzhej Duda tha se është arritur marrëveshje kalimtare me partnerë të tjerë të BE-së.
Sipas informacioneve që vijnë nga diplomatët nga vendet anëtare të BE-së, është arritur kompromis që do t’u mundësojë qeverive të kërkojnë nga Komisioni Evropian të mos i zbatojë mekanizmat për mbikëqyrje të sundimit të ligjit lidhur me buxhetin derisa kërkon drejtësi para Gjykatës Evropiane.
Ky është propozimi i fundit i presidencës gjermane për të cilën pritet marrëveshje këto dy ditë në Bruksel, mbetet të shihet nëse dhe çfarë ndryshimesh do të kërkojnë liderët për këtë kompromis në mënyrë që të gjithë ta deklarojnë veten fitues para opinionit të tij. Holanda është veçanërisht e vendosur në pjesën për sundimin e ligjit, ndërsa Hungaria dhe Polonia para opinionit të tyre këtë mekanizëm e prezantuan si “detyrim për t’i pranuar emigrantët”.
Dosja tjetër kryesore për të cilën duhej të arrihej marrëveshje përfundimtare në këtë samit është Bregziti.
Mbretëria e Bashkuar më në fund po tërhiqet zyrtarisht dhe plotësisht nga BE më 1 janar, me përfundimin e fazës së tranzicionit, por shumë pikë akoma qëndrojnë pezull midis Londrës dhe Brukselit.
Kryeministri britanik Boris Xhonson udhëtoi për në Bruksel mbrëmë për takim me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, por pa rezultate.
Të dy palët po bëjnë kompromise deri në fund të kësaj jave, pas së cilës është e mundur që Londra të largohet nga BE-ja pa marrëveshje të mëparshme tregtare, të njohur si “Bregzit pa marrëveshje”, skenari më i keq sipas BE-së.
Xhonson dhe fon der Lajen ranë dakord që ekipet negociuese do të takohen intensivisht në periudhën e ardhshme për të gjetur një zgjidhje.
