Nga Lidhja Europiane për Ndryshim nëpërmjet një kumtese në media bëjnë të ditur se konkursi për zgjedhjen e anëtarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve tashmë është mbyllur dhe kryetari i Kuvendit, z. Talat Xhaferi po ashtu është i njoftuar se kandidat i Lidhjes Europiane për Ndryshim është z. Abdush Demiri.
“Pasi kanë kaluar 24 orë që kur kreu i Kuvendit është njoftuar përmes letrës zyrtare, kërkojmë që të veprojë sa më shpejtë në suaza të Kushtetutës dhe Ligjeve përkatëse të cilat theksojnë qartë se opozita duhet të ketë përfaqësuesin e saj në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.”- thonë nga Lidhja Europiane për Ndryshim.
Nga ky koalicion theksojnë se nëse kryetarit i Kuvendit do të dëshmojë se pushteti dëshiron që zgjedhjet e ardhshme të jenë fer, demokratike dhe transparente, atëherë ai duhet të veprojë sipas kushtetutës dhe ligjeve.
“Veprimi adekuat i kryetarit të Kuvendit do të dëshmojë se pushteti dëshiron që zgjedhjet e ardhshme të jenë fer, demokratike dhe transparente. Në të kundërtën do të kuptohet se Pushteti, pjesë e të cilës është edhe kryetari i Kuvendit, po përgatitet që zgjedhjet e ardhshme të jenë të manipuluara, jo-demokratike dhe pa përfaqësues të opozitës shqiptare. Kjo kuptohet se do të ndikojë negativisht edhe para institucioneve ndërkombëtare dhe në procesion eurointegrues të vendit.”- thuhet më tej në kumtesë.
