Ajo që e bëri bashkë në një koalicion Lidhjen Europiane për Ndryshim është 2halli i qytetari dhe halli i shqiptarit”, thotë kreu i Besës Bilall Kasami, por gjatë emisionit ClickPlus u shpreh po ashtu se beteja nuk do të jetë me Ali Ahmetin apo me BDI-në, por me vetveten, të tejkalohen, siç tha, egot personale.
“Nga ky moment kur e fituam me vetveten, tani e kemi shumë më të lehtë që të bashkëbisedojmë me të gjithë ata të cilët të cilët e ndajnë këtë vizion për shtetin dhe shqiptarët në këtë shtet. Prandaj, për ne nuk është më sfidë Ali Ahmeti dhe BDI-ja, për ne është sfidë atë të cilën ne e premtojmë, a do të mundemi t’i qëndrojmë besës që ua japim qytetarëve”, tha Bilall Kasami, kryetar L.Besa.
Për Ziadin Selën e ASH-së, tha se i ka dyert e hapura në LEN, por nga përvoja në të kaluarën, Kasami nuk beson se Sela do ta tejkalon vetveten.
“Unë dyshoj që Ziadin Sela do të mund ta tejkalojë vetveten dhe të jetë në një koalicion bashkë me mua dhe të tjerët, sepse në vazhdimësi më akuzon se unë jam e keqja e ASH-së”, pohoi Bilall Kasami, kryetar L.Besa.
Tash opozita shqiptare kërkon besimin e shqiptarëve, edhe atë me 20 mandate deputetësh.
“Nëse VMRO kërkon 60 mandate, ne ju themi shqiptarëve na jepni 20 mandate plus dhe mos e keni hallin e integrimit europian dhe as të të drejtave kolektive”, tha Bilall Kasami, kryetar L.Besa.
Është i sigurt për fitoren e LEN-it, madje 2 me 1 ndaj BDI-së.
“Nuk e di me mandate por një gjë është e sigurt. Ne këndej, BDI me të gjithë andej, do t’i fitojë 2 me 1. -Sa deputet i parashihni… -Kjo nënkupton, 18 me 9, 20 me 10, varet nga dalja dhe e shqiptarëve edhe e maqedonasve”, pohoi Bilall Kasami, kryetar L.Besa.
Sa i përket mbështetjes që Albin Kurti i Vetëvendosjes nga Kosova po ia jep LEN-it, Kasami e arsyeton duke thënë se përderisa shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk arrin të kenë barazi të plotë, nuk i kanë të drejta të garantuara si maqedonasit me kushtetutë, sigurisht do të jetë e nevojshme që të na përkrahë Prishtina dhe Tirana. Këtë kreu i Besës nuk e sheh aspak si nënshtrim dhe ndërhyrje në çështjet e brendshme, përderisa, siç u shpreh, autoritet qeverisëse nuk i sigurojnë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni.