Lavrov: Nuk do të ketë mision paqeruajtës turk në Nagorno Karabah

TË FUNDIT

Asnjë mision paqeruajtës turk nuk do të dërgohet në Nagorno-Karabah, tha ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov.

Në një intervistë me mediat vendase dhe të huaja, Lavrov tha se kjo është një dispozitë e qartë e marrëveshjes për një armëpushim të plotë në Nagorno Karabah, nënshkruar nga liderët e Azerbajxhanit, Armenisë dhe Rusisë, njoftoi TASS.

Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar përsëriti sot se forcat turke do të marrin pjesë në një mision paqeruajtës në Nagorno Karabah së bashku me Rusinë.

Më 9 nëntor, presidenti rus dhe ai azerbajxhanas, si dhe kryeministri armen nënshkruan marrëveshje për armëpushim të plotë në Nagorno Karabah, duke filluar nga 10 nëntori.

Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se palët azerbajxhanase dhe armene do të mbajnë pozicionet e tyre dhe se paqeruajtësit rusë do të sistemohen në rajon.

Marrëveshja parashikon gjithashtu edhe shkëmbimin e të burgosurve dhe të vdekurve midis Bakut dhe Erevanit.

Ministria ruse e Mbrojtjes kumtoi të mërkurën se është nënshkruar një memorandum për formimin e një qendre të përbashkët ruso-turke për monitorimin të armëpushimit në Nagorno Karabah, e cila do të vendoset në Azerbajxhan.

Dokumenti nuk parashikon praninë e forcave turke në misionet paqeruajtëse në Nagorno Karabah.